TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Prefektura e Qarkut Shkodër informon se deri në këto momente nuk raportohen përmbytje në banesa nga reshjet që kanë prekur qarkun.
Në Njësinë Administrative Shalë vijon puna për pastrimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit në akset rrugore të bllokuara nga reshjet intensive.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Kamicë, Njësia Administrative Qendër, prurjet e larta të Përroit të Thatë vazhdojnë të pengojnë aksesin rrugor, por nuk ka prani uji në banesa.
Situata në bashkitë e tjera
Në Bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz, deri në këto momente nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Sipas informacionit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 48 orëve të fundit janë regjistruar reshje të konsiderueshme në zonat malore, ndërsa në zonat fushore rreth 25 mm. Aktualisht nuk raportohen dëmtime apo probleme në infrastrukturën e kullimit dhe mbrojtjes nga ujërat.
Ndërkohë, vazhdojnë inspektimet përgjatë lumit Kir për monitorimin e situatës.
Koordinimi dhe thirrja për qytetarët
Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, vazhdon monitorimin e territorit dhe koordinimin e ndërhyrjeve në zonat problematike.
Në njoftimin e Prefekturës, u bëhet thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave malore, të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të shmangin kalimin në akset e dëmtuara dhe pranë përrenjve me prurje të larta, si dhe të ndjekin njoftimet e autoriteteve përgjegjëse.
Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe publiku do të informohet për çdo zhvillim të ri.
/e.i/j.p/
Burimi: ata.gov.al










