Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar strukturave të Partisë Socialiste të mos e humbasin fokusin nga objektivat madhore dhe nga procesi i integrimit evropian, pavarësisht zhvillimeve të fundit që mund të kenë lënduar imazhin e partisë.
Krenari për forcën politike
Duke u shprehur krenar për forcën politike që drejton, Rama theksoi se PS-ja është e vetmja parti që punon me ritëm të lartë për të përmbushur detyrat e përditshme që kërkon Brukseli. Sipas tij, askush tjetër në skenën politike nuk ka kapacitetin dhe përgjegjësinë për ta çuar vendin në drejtimin e duhur, prandaj socialistët nuk kanë të drejtë të ndalen.
Mesazhi për strukturat e partisë
“Tani dua ta them edhe këtë, për PS, sepse besoj është shumë e rëndësishme të mos e humbim këtë fokus, ndërkohë që kemi të gjitha arsyet për t’u mërzitur kur gjëra të caktuara e lëndojnë imazhin e PS. Unë dua t’u them që sot jam shumë krenar për këtë parti.
Jam shumë krenar për këtë parti, sepse pa këtë parti ai togfjalësh nuk do të ishte shkruar. Ajo që nuk duan të kuptojnë ata që bëjnë sikur është se ne nuk kemi të drejtë të mendojmë për ndalje. Jemi një forcë e vetme në këtë vend që funksionon me kronometër, ndërsa të tjerët kanë kilometra në rastin më të mirë. Çdo ditë duhet të përmbushim detyra, për të çuar në Bruksel gjithçka që kërkohet.
Jam krenar për këtë parti. Të zhytur në këtë vorbullë, rrezikojmë të humbim perspektivën, e cila është e thjeshtë. Në vendin tjetër ku ndodhi përmbysja, Brukseli kishte lënë gjëra të shkruara prej kohësh.
Këtu sot çdo gjë shkon në drejtimin e duhur. Kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme, por kemi detyrë të kujdesemi për bebëzat çdo ditë nga uji i pistë. Askush nuk e mban dot këtë përgjegjësi. Askush, asnjë forcë politike. Njëri më daulle se tjetri”, u shpreh Rama.
Burimi: abcnews.al
Burimi: abcnews.al










