Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje socialistëve që të mobilizohen për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka sot perspektivën më konkrete drejt Bashkimit Evropian.
Në Asamblenë e PS-së, Rama kërkoi angazhim në çdo qytet dhe fshat, ndërsa vlerësoi nismën “Prania Besnike” si një mënyrë për të qenë më afër qytetarëve.
Perspektiva evropiane dhe shumica parlamentare
“Një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria e sotme ka një perspektivë më konkrete se kurrë. Thonin se për çfarë i duhej kjo shumicë kaq e theksuar, a do të bëhej si Erdoğani apo Putini? Imagjinoni nëse populli shqiptar do të ishte i mangët si këta, ne sot do të ishim të ngecur, sepse nuk do të kishim kaluar ligjet që kemi kaluar në funksion të anëtarësimit.
Prandaj e kemi marrë atë shumicë, për Shqipërinë e BE-së. Këtë duhet ta ndjejë secili për të qenë aktiv. Të gjitha qelizat e PS duhet të mobilizohen, dhe i gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë. Na ka rënë barra, por na është shkruar edhe fati për të qenë në këtë moment të historisë, që Shqipëria të jetë ylli i ri i Evropës.”
Puna në terren dhe dialogu me qytetarët
“Është momenti për të punuar pa u lodhur dhe për të mbështetur njerëzit dhe komunitetet. Ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë është ajo që është përpara. Prandaj Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë. Prania Besnike është një nga rrugët e duhura për të ndjerë nga afër pulsin e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë frymëmarrjen e nevojshme.
Burimet në Tiranë janë kundër nesh për 1001 arsye, por ne kemi burimin tonë atje, që duhet të shtrihet në çdo territor. Ka ardhur radha jonë për të folur. Të tjerët i kanë thënë të gjitha, por tani është koha që ne të flasim me çdo shqiptar në çdo fshat e qytet, me shqiptarë që nuk e kanë frikë dialogun dhe që nuk harrojnë se baza e së vërtetës nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe detyra për të dëgjuar”, tha Rama.
Burimi: tirananews.al










