Në Fier, gratë pensioniste shesin çdo ditë punimet e tyre artizanale pranë xhamisë. Prej 20 vitesh në këtë aktivitet, ato thonë se pensioni i ulët nuk u mjafton për të përballuar jetesën.
Një treg i improvizuar pranë xhamisë
Pranë murit rrethues të xhamisë së Fierit, çdo ditë mblidhen mbi 10 gra pensioniste, të cilat kanë kthyer traditën e punimeve me shtiza në një burim të ardhurash.
Çorape leshi, triko, bluza për të rritur e fëmijë dhe punime të tjera ekspozohen në këtë treg të improvizuar, ku gratë përpiqen të plotësojnë të ardhurat e pamjaftueshme të pensionit.
Pensioni nuk mjafton për jetesën
“Me këto punime jemi rritur, i duam dhe ato na ushqejnë. Ku do të gjejmë me një pension kaq të ulët? Nuk na del as për të ushqyer familjen. Unë kam 20 vjet që punoj këtu. Bëjmë çorape, fanella e shumë punime të tjera”, thotë Vizika Hanaj.
Edhe për 77-vjeçaren Hanko Shametaj, punimet artizanale janë domosdoshmëri për të përballuar shpenzimet e përditshme.
“Kam 20 vjet në këtë punë. Jemi pensioniste dhe kemi dalë këtu për të kompensuar pensionin, sepse nuk na del për t’u ushqyer”, shprehet artizania.
Përtej vështirësive ekonomike, ky treg i vogël artizanal mbetet një dëshmi e punës, përkushtimit dhe traditës që këto gra vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm.
Burimi: shqiptarja.com










