Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Rama: Ulja e TVSH-së për ushqimet mundet nga rritja ekonomike

Rama: Ulja e TVSH-së për ushqimet mundet nga rritja ekonomike
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se paketa e re fiskale nuk është rezultat i një kthese ideologjike drejt së majtës, por i arritjeve ekonomike të vendit, të cilat kanë krijuar mundësinë për të ndërmarrë masa që më parë nuk ishin të përballueshme.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama theksoi se qeveria ka pasur prej kohësh synimin për të ulur TVSH-në për shportën, por nuk ka mundur ta realizojë këtë objektiv deri në krijimin e hapësirave të nevojshme buxhetore.

“Ne kemi bërë diçka që jo 10 vjet më parë, por as një vit më parë nuk e bënim dot, dhe nuk është e vërtetë përralla që ‘Edi Rama u kthye te e majta ideologjike me paketën’. Jo, ne kemi bërë një paketë fiskale, e cila është rezultat i arritjeve, jo i dëshirës, e aq më pak i shtysës ideologjike. Dëshirën e kemi pasur gjithmonë. E kemi thënë në programin e Rilindjes Shqiptare përpara zgjedhjeve të para, që duam të ulim TVSH-në për shportën. E kemi thënë, por nuk e kemi bërë dot derisa u krijua mundësia, sepse buxheti ka nevojë të financohet, sepse investimet duhet të vazhdojnë, sepse pagat duhet të vazhdojnë të rriten”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “si i heq ti 150 milionë euro nga arka dhe i kalon te xhepi i qytetarit? I heq duke i zëvendësuar dhe mundësisht duke i shtuar nga ekonomia”.

E njëjta gjë, vijoi Rama, është me uljen e çmimit të naftës në pompë.

“E kemi thënë shumë herë që struktura e çmimit, në kushtet kur kosto e rritur e jetesës dhe presioni i madh mbi njeriun e zakonshëm i kësaj kostoje kanë filluar të lëndojnë psikologjikisht raportin e tij me institucionet dhe me shtetin. Kjo është një tjetër masë që duhet bërë, dhe diskutimi ka filluar përpara dy vjetësh”, nënvizoi Rama.

Sipas Ramës, për realizimin e kësaj mase nevojiteshin rreth 450 milionë euro, të cilat duhej të kompensoheshin përmes burimeve të tjera financiare.

“Pse del llogaria sot? Sepse ekonomia është sot në nivelin e vet më të mirë, është rritur baza e të ardhurave, nuk është rritur borxhi”, tha Rama.

Kryeministri Rama u ndal tek skema e re e bonusit të bebeve, duke theksuar se sot kemi një skemë të bonusit më të zgjeruar, sepse janë rritur mundësitë e ekonomisë”.

“Tani natyrisht që ne duam të bëjmë shumë më tepër për pensionistët. Kemi dashur ta bëjmë gjithmonë, por tani po bëjmë atë që s’e bënim dot deri dje. Në janar pensionistët do të kenë përsëri dyfishimin e shtesës që iu bë janarin e kaluar dhe ne do t’i qëndrojmë janar për janar, vit për vit, atij premtimi. Pse? Sepse na jep mundësinë ekonomia”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha