Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Shehu: Buxheti i SPAK-ut arrin 2.3 miliardë lekë

Shehu: Buxheti i SPAK-ut arrin 2.3 miliardë lekë
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Prokurori i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Alfred Shehu, bëri të ditur sot se buxheti i institucionit për vitin 2027 arrin në 2.3 miliardë lekë.

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, lidhur me projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, Shehu tha se nevojat e rishikuara mbeten në nivelin e 2.5 miliardë lekëve.

Rritja e buxhetit ndër vite

Shehu u ndal te ecuria e buxhetit të SPAK-ut ndër vite. Ai bëri të ditur se nga viti 2020 deri në vitin 2026, plani vjetor është rritur nga 327 milionë lekë në 2.3 miliardë lekë, ose me 608%. Shpenzimet faktike janë rritur nga 167 milionë lekë në 1.3 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 709%.

“Gjatë periudhës 2020-2026, buxheti ka shënuar një rritje të konsiderueshme, si rezultat i shtimit të volumit të punës, rritjes së numrit të punonjësve dhe zgjerimit të aktivitetit institucional. Konkretisht, plani vjetor i buxhetit është rritur nga 327 milionë në vitin 2020 në 2.3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%. Ndërkohë, shpenzimet faktike janë rritur nga 167 milionë në vitin 2020 në 1.3 miliardë në vitin 2026, ose rreth 709%.

Kërkesat për personel shtesë

“Për vitin 2027, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë paraqitur kërkesa shtesë për shtimin e 25 pozicioneve të reja në strukturën organike, përkatësisht tetë pozicione në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 pozicione në BKH. Këto kërkesa synojnë forcimin e kapaciteteve administrative, teknike dhe operacionale të të dy strukturave, në funksion të përballimit të volumit në rritje të veprimtarisë hetimore dhe sigurimit të mbështetjes së nevojshme për përmbushjen efektive të misionit institucional. Në projektligjin për buxhetin e vitit 2027, rezulton se kjo kërkesë është pranuar dhe parashikuar”, tha ai.

Diferenca buxhetore

Sipas Shehut, diferenca prej 209 milionë lekësh lidhet kryesisht me shtimin e 25 pozicioneve të reja në strukturën organike dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit. Konkretisht, 50 milionë lekë lidhen me efektin financiar të shtimit të 25 punonjësve, ndërsa 159 milionë lekë nevojiten për pagesat e gatishmërisë dhe orët jashtë orarit.

“Në kuadër të hartimit të programit buxhetor afatmesëm, SPAK-u ka paraqitur kërkesat buxhetore për periudhën 2027-2029, në përputhje me nevojat për përmbushjen e funksioneve dhe objektivave institucionalë. Për vitin 2027, nevoja e SPAK-ut ka qenë 2.5 miliardë lekë tavan, ndërsa në projektbuxhet janë miratuar 2.2 miliardë lekë, me një mungesë prej 245 milionë lekësh”, tha ai.

“Këto kërkesa shtesë mbi politikat ekzistuese për vitin 2027 arrijnë në 245 milionë lekë, dhe kanë të bëjnë me shpenzime për paga dhe sigurime, në shumën 209 milionë lekë, shpenzime për mallra dhe shërbime në shumën 31 milionë lekë, shpenzime për transferta korrente të huaja në shumën 2.5 milionë lekë, dhe shpenzime për transferta dhe buxhete familjare e individë në shumën 2.3 milionë lekë”, tha ai.

Shehu theksoi se “konkretisht, është miratuar një shtesë prej 46 milionë lekë mbi tavanin e miratuar. Kjo përfshin 10 milionë lekë në kategorinë ekonomike “Paga dhe sigurime shoqërore”, për të reflektuar efektin financiar që rrjedh nga ndryshimi i pagës referuese të magjistratit, dhe 36 milionë lekë në kategorinë ekonomike “Mallra dhe shërbime”. Për mbulimin e nevojave të institucionit, nga fondi i planifikuar për mallra dhe shërbime rezulton një tepricë prej 4.8 milionë lekësh krahasuar me kërkesën e paraqitur. Kjo shumë parashikohet të rialokohet gjatë vitit 2027 në kategorinë ekonomike të transfertave buxhetore, me qëllim mbulimin e kërkesave shtesë të paraqitura nga institucioni”.

Përfundimi i Shehut

“Për vitin 2027, pas rishikimit të kërkesave dhe reflektimit shtesë prej 46 milionë lekësh në projekt-buxhetin e miratuar, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Për rrjedhojë, ka një diferencë financimi prej 209 milionë lekësh, e cila lidhet kryesisht me shtimin e organikës me 25 punonjës (50 milionë lekë) dhe mbulimin e pagesave për gatishmëri dhe orët jashtë orarit (159 milionë lekë).

“Kërkesat buxhetore për shpenzimet e pagave dhe sigurimeve shoqërore llogariten mbi bazën e strukturës organike të miratuar. Për këtë arsye, në raport me tavanin buxhetor, rezulton kjo diferencë prej 209 milionë lekësh. Megjithatë, kjo diferencë nuk përbën kërkesë shtesë për financim, pasi realizimi faktik i fondeve të pagave aktualisht është 60% dhe pritet të vijojë të ndikohet nga vakancat ekzistuese dhe koha e nevojshme për përfundimin e procedurave të rekrutimit të hetuesve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”, tha ai.

/m.q/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha