Nga Zef Preçi
Ky analizim krahason dy qeveri, atë të Viktor Orbánit në Hungari (2010-2026) dhe atë të Edi Ramës në Shqipëri (nga viti 2013), për mënyrën se si ndërtojnë marrëveshje strategjike me partnerë të huaj.
Pyetjet kryesore janë: si ndahen rreziqet dhe përfitimet midis shtetit, rrethit të klientëve të pushtetit dhe “miqve” të huaj, si reagojnë institucionet e kontrollit dhe si mbrohet interesi publik në situata të tilla.
Çfarë tregon dokumenti për Hungarinë
Sipas EUalive të ditës së sotme (https://eualive.net/orbans-government-negotiated-e5bn-chinese-loan-framework-weeks-before-his-defeat/), në javët para zgjedhjeve të prillit 2026 qeveria Orbán negocionte fshehtas me bankën shtetërore kineze të eksport-importit (CEXIM) një kornizë financimi deri në 5 miliardë euro. Fondet do të përdoreshin për hekurudha, energji gjeotermale, zinxhirë furnizimi të baterive dhe reaktorë bërthamorë modularë. Shuma ishte pesëfishi i kredisë prej 1 miliard eurosh nga bankat kineze në vitin 2024. Marrëveshja nuk u nënshkrua, por drafti dëshmon negociata substanciale.
EUalive e përshkruan modelin kinez në këtë mënyrë: kredia shtetërore preferenciale u jep pjesën më të madhe të punimeve kontraktorëve dhe furnitorëve kinezë; borxhi mbetet mbi shtetin hungarez, pavarësisht suksesit të projektit; disa kontrata janë mbajtur sekret deri në një dekadë me klauzola të sigurisë kombëtare; auditimet pas zgjedhjeve zbuluan boshllëqe buxhetore, të lidhura pjesërisht me këto detyrime. Përfundimi i EUalive vlen edhe për Shqipërinë: votuesit mund ta rrëzojnë një udhëheqës, por detyrimet kontraktuale të shtetit mbeten.
Për Shqipërinë, pa asnjë paragjykim, kam marrë çështjen e njohur KAYO, në hetim nga SPAK, dhe çështjen pak të njohur, ende vetëm në diskutim, AKTOR (kontrata Albgaz-AKTOR LNG USA për gazin natyror të lëngshëm).
Analiza mbështetet në fakte të dokumentuara, pretendime publike dhe veprime hetimore. Asnjë nga personat e përmendur nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për këto çështje. Pyetjet kryesore janë: si ndahen rreziqet dhe përfitimet midis shtetit, rrethit të pushtetit dhe “miqve” të huaj, dhe si reagojnë institucionet e kontrollit.
“Profili” i dy qeverive
Kohëzgjatja e pushtetit. Orbán qeverisi 16 vjet dhe humbi zgjedhjet e prillit 2026 nga Tisza e Péter Magyarit. Rama është në pushtet që nga 2013 dhe PS fitoi sërish më 11 maj 2025; kështu Rama është në mandatin e tij të katërt.
“Miqtë” e huaj. Partnerët e Orbánit ishin shtete: Kina (CEXIM, CATL, BYD) dhe Rusia (Rosatom, Paks II). Në Shqipëri janë aktorë privatë: biznesmeni izraelit me pasaportë shqiptare Ron Yeffet dhe grupi grek AKTOR, i mbështetur diplomatikisht nga rrethi i administratës Trump.
Marrëveshjet emblematike. Në Hungari: kredia e CEXIM-it, hekurudha Budapest-Beograd dhe Paks II. Për Paks II, sipas Associated Press, Rusia dha 10 miliardë euro kredi, rreth 80% e kostos. Në Shqipëri: KAYO me kompanitë e saj të përbashkëta dhe kontrata e gazit, rreth 6 miliardë dollarë për 20 vjet, ende jo publike.
Rrethi i brendshëm qeveritar. Në Hungari: Lőrinc Mészáros, shok fëmijërie i Orbánit dhe njeriu më i pasur i vendit, si dhe dhëndri i Orbánit, István Tiborcz. Në Shqipëri, opozita e quan Yeffet-in mik të Ramës. Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është nën akuzë nga SPAK.
Fshehtësia e kontratave. Hungaria e shpalli me ligj kontratën e Paks II sekret shtetëror për 30 vjet. Në Shqipëri mbeten të fshehta kushtet e kontratës së gazit dhe kontratat e KAYO-s me Ministrinë e Mbrojtjes.
Llogaridhënia qeveritare. Në Hungari, llogaridhënia nisi vetëm pas ndryshimit të qeverisë: u krijua Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH), një agjenci e pavarur kundër korrupsionit; vendi hyri në Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO) dhe vëllai i Orbánit u ndalua. Në Shqipëri, SPAK heton ndërsa qeveria është ende në pushtet: Balluku është akuzuar dhe KAYO është kontrolluar.
Ngjashmëritë
Sektori strategjik si justifikim për fshehtësi. Në të dyja vendet, energjia dhe mbrojtja shpallen sektorë të “sigurisë kombëtare”, gjë që kufizon kontrollin parlamentar dhe publik. Në Hungari, Paks II u shpall me ligj sekret shtetëror për 30 vjet, ndërsa disa kontrata me financim kinez u mbrojtën me klauzola sigurie. Në Shqipëri, për kontratën e gazit nuk dihen çmimi, formula e indeksimit, detyrimi minimal dhe garancitë. Për KAYO-n nuk janë publikuar kontratat dhe vlerat konkrete me Ministrinë e Mbrojtjes.
Detyrime afatgjata që lidhin qeveritë e ardhshme. Kredia e CEXIM-it dhe kredia ruse për Paks II krijojnë borxh shtetëror për dekada, dhe qeveria e re hungareze trashëgon rreziqet fiskale e valutore. Në Shqipëri, sipas gazetës greke “To Vima”, klauzola “take-or-pay” e detyron Albgaz-in të paguajë sasinë minimale edhe nëse gazi nuk merret, nga 2030 deri në 2050.
Para pak javësh, avokatët e AKTOR-it deklaruan se marrëveshja është “detyruese për palët” dhe i nënshtrohet arbitrazhit ndërkombëtar. Në të dyja rastet, ndryshimi i kursit nga një qeveri e re do t’u kushtonte shtrenjtë taksapaguesve. Për më tepër, as buxheti afatmesëm, as buxheti i shtetit për vitin 2027 nuk parashikojnë fonde për infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e kontratës.
Partneri i huaj siguron fitime, “para të lehta”, ndërsa shteti mban rrezikun. Në Hungari, CEXIM-i e strukturon financimin që kontraktorët kinezë të marrin pjesën më të madhe të punëve, ndërsa borxhi mbetet hungarez. Në Shqipëri, në rastin e KAYO-s, partneri privat zotëron 80% të Timak Defence, AAT dhe M.K.D. Shteti jep pronat, të paktën 20.000 m² vetëm për municionet, dhe mban 20%, ndërsa subjektet e licencuara paguajnë 0% tatim mbi fitimin për 10 vjet. Sipas WSJ, AKTOR, si ndërmjetës midis Venture Global dhe Albgaz-it, pritet të fitojë rreth 1,8 miliardë euro para tatimit për dy dekada.
Përzgjedhje pa konkurrim dhe favorizim i rrethit të ngushtë. Analiza e Financial Times për rreth 350.000 kontrata tregon se 42 kompani të 13 personave të afërt me Orbánin morën 14% të fondeve të tenderave shtetërorë, nga 1% në 2005-2010. Në tenderat me një ofertues, pjesa e tyre arriti 69% në 2024-2025. Në Shqipëri, KAYO mund të veprojë përmes subjekteve që krijon vetë, pa garë për partnerët privatë. Për gazin, ministri përgjegjës deklaroi se u paraqit vetëm një ofertë. SPAK ka ngritur akuza edhe për tenderat e mëdhenj të infrastrukturës: në tetor 2026, ish-zëvendëskryeministrja Balluku u akuzua për pesë vepra penale, ndër to shkelje të barazisë në tendera në nëntë raste, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
“Miku” i huaj si mburojë gjeopolitike për kryeministrin. Në të dyja vendet, partneri i huaj sjell jo vetëm kapital, por edhe legjitimitet politik. Orbán e paraqiti Kinën si kundërpeshë ndaj BE-së dhe si burim investimesh që ul varësinë nga kapitali perëndimor. Budapesti bllokoi ose zbuti disa herë qëndrimet e përbashkëta evropiane për Kinën. Rama e paraqiti kontratën e gazit si pjesë të “Korridorit Vertikal” dhe të axhendës energjetike të Presidentit Trump, ndërsa KAYO-n si projekt sipas standardeve të NATO-s. Në audio-regjistrimet e publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj, Yeffet-it i atribuohet fjalia “Kompania do të jetë amerikane që t’i mbyllim gojën edhe ambasadës amerikane”. Ky mbetet një pretendim i pakonfirmuar.
Qasje personale në nivelin më të lartë. Mészáros është shok fëmijërie i Orbánit dhe Tiborcz është dhëndri i tij. Sipas Financial Times, OLAF konstatoi në 2017 se kompania Elios e Tiborcz-it fitoi tendera për ndriçimin publik përmes procedurave mashtruese dhe kërkoi kthimin e 43,7 milionë eurove, por autoritetet hungareze e pushuan çështjen. Në Shqipëri, Yeffet bleu 49% të Timak-ut për rreth 490 euro. Ortakja e tij, A. Puca, deklaron se kjo ishte vlera nominale e kuotave. Sipas House Foreign Affairs, ambasadorja amerikane Guilfoyle u takua me Ramën në mars 2026 për marrëveshjen e gazit, në një vizitë të papublikuar, bashkë me drejtuesin e AKTOR-it dhe lobistin e kompanisë.
Dallimet
Orientimi i “miqve”. “Miqtë” e Orbánit ishin në Lindje: shtete autoritare si Kina dhe Rusia, në kundërvënie të hapur me BE-në. “Miqtë” e huaj të Ramës vijnë nga vende aleate, si Izraeli, Greqia dhe SHBA-ja, brenda hapësirës së NATO-s. Për këtë arsye, kritika ndaj tyre mund të paraqitet lehtë në publik si qëndrim kundër aleatëve.
Natyra e partnerit të huaj. Në Hungari, partnerët e huaj ishin banka dhe korporata shtetërore, si CEXIM dhe Rosatom, me synime gjeopolitike të shteteve të tyre. Në Shqipëri, ata janë individë dhe grupe private, si Yeffet dhe AKTOR. AKTOR pati ndihmën diplomatike të një ambasadoreje amerikane që më pas dha dorëheqjen.
Përfituesi kryesor. Në Hungari, përfituesit kryesorë ishin oligarkët vendas pranë Orbánit, ndërsa të huajt merrnin kontratat dhe ndikimin politik. Në rastet shqiptare, vetë partnerët e huaj marrin pjesën më të madhe të aksioneve ose të marzhit të fitimit.
Shkalla e përfshirjes. Në Hungari, kompanitë e rrethit të ngushtë fituan mbi 28 miliardë euro tendera gjatë 2010-2025. Kryeministri Magyar e vlerëson koston e korrupsionit në 8-10% të PBB-së. Në Shqipëri, sipas të dhënave të Thesarit, përveç 3 milionë eurove kapital themeltar, vetë KAYO ka marrë rreth 9 milionë euro; së bashku me shoqëritë e përbashkëta, sidomos Timak Defence, sipas opozitës, shuma kalon 30 milionë euro. Kontrata e gazit krijon një detyrim të ardhshëm prej rreth 6 miliardë dollarësh.
Presioni i BE-së. Si vend anëtar, Hungaria pati rreth 27 miliardë euro fonde të ngrira që nga 2022. Shqipëria, si vend kandidat, nuk ka një mekanizëm të drejtpërdrejtë për ngrirjen e fondeve. Presioni ndaj saj vjen përmes procesit të anëtarësimit dhe kapitujve të sundimit të ligjit.
Drejtësia gjatë mandatit. Nën Orbánin, prokuroria nuk ndoqi rekomandimet e OLAF-it dhe Hungaria nuk ishte anëtare e Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO). Në Shqipëri, është fakt që SPAK vepron ndërsa qeveria është në pushtet. Te KAYO u sekuestruan telefonat e Veliut, R. Yeffet-it dhe Pucës. GJKKO e pezulloi Ballukun nga detyra, por Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e kësaj mase.
Llogaridhënia pas largimit nga pushteti. Në Hungari, qeveria Magyar krijoi Zyrën Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH), si agjenci të pavarur kundër korrupsionit, dhe vendi u bë anëtar i EPPO-s më 2 gusht 2026. Pas reformave antikorrupsion, BE-ja zhbllokoi 4,2 miliardë euro, ndërsa ditën e djeshme (9 nëntor 2026) u ndalua vëllai i Orbánit (EUalive). Në Shqipëri nuk ka pasur ndryshim pushteti, prandaj llogaridhënia varet nga SPAK dhe nga qëndrueshmëria e tij ndaj presionit politik, ndërsa për hetimet mbi bllokimin e fondeve të IPARD-it, megjithë urgjencën e problemit dhe ndihmën e ofruar nga OLAF-i, nuk dihet se kur mund të përfundojnë.
Dallimi themelor: Orbán ndërtoi një sistem ku institucionet e kontrollit ishin nën ndikimin e pushtetit, dhe llogaridhënia erdhi vetëm pas humbjes së zgjedhjeve. Në Shqipëri, ndonëse thuajse të gjitha institucionet shtetërore, duke përfshirë edhe ato të kontrollit, janë nën ndikimin e pushtetit, më saktë të kryeministrit Rama, bën përjashtim Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila po heton zyrtarë të lartë ndërsa qeveria është ende në pushtet. Kjo është një arritje premtuese e reformës në drejtësi, por edhe një premisë konflikti midis pushteteve, që mund të thellohet në të ardhmen e afërt, siç tregon çështja Balluku.
Dallimi i dytë: “Miqtë” e Orbánit ishin rivalë gjeopolitikë të Perëndimit, prandaj kritika ndërkombëtare ishte e hapur dhe e drejtpërdrejtë. “Miqtë” e huaj të Ramës vijnë nga vende aleate, prandaj rreziku i kapjes së shtetit fshihet pas retorikës euroatlantike dhe rrallë sjell reagime të drejtpërdrejta nga partnerët perëndimorë. Skandali i AKTOR-it u zbulua nga mediat amerikane, jo nga institucionet shqiptare.
Disa mësime që mund të nxirren nga rasti i Hungarisë për Shqipërinë
Kontratat, si detyrime shtetërore, u mbijetojnë qeverive. Qeveria e re hungareze trashëgon borxhet kineze, kredinë ruse dhe rreziqet valutore. Shqipëria duhet t’i rishikojë detyrimet afatgjata para se ato të sjellin efekt, në rastin e gazit para 2030-s. Personalisht, nuk dëshiroj të jetoj në një republikë ku taksat e mbledhura nga qytetarët dhe bizneset shkojnë për të kënaqur interesat e oligarkëve dhe të klientëve vendas të qeverisë, si dhe të “miqve” të huaj të kryeministrit, cilido qoftë ai.
Fshehtësia është paralajmërim. Klauzolat e sigurisë kombëtare në Hungari mbuluan kosto që u zbuluan vetëm në auditimet pas largimit të Orbánit nga pushteti. Mendoj se e njëjta logjikë vlen për KAYO-n dhe për kushtet e kontratës me AKTOR-in: fshehtësia e këtyre dhe e shumë kontratave të tjera para tyre duhet parë si paralajmërim.
Rimarrja e aseteve kërkon institucione të posaçme. Hungaria krijoi NVVH dhe hyri në EPPO. Shqipëria ka SPAK-un, por i duhen mjete më të forta për pronësinë përfituese dhe rimarrjen e aseteve në sektorët strategjikë. Mendoj se këto probleme duhen adresuar edhe në ligjin “Për investimet”, i cili është në proces konsultimi këto javë.
Presioni i jashtëm funksionon kur ka kushtëzim. Ngrirja e fondeve të BE-së ishte instrumenti më i fortë ndaj Orbánit. Për Shqipërinë, kapitujt e sundimit të ligjit në negociatat e anëtarësimit janë instrumenti deri diku i krahasueshëm, edhe pse procesi i anëtarësimit në BE aktualisht duket i motivuar dukshëm edhe nga faktorë gjeopolitikë.
Disa rekomandime modeste në favor të interesit publik, sipas mendimit tim, janë:
– Publikimi i plotë i kontratës Albgaz-AKTOR dhe i marrëveshjeve të kompanive të përbashkëta të KAYO-s, me redaktim vetëm për sekretin ushtarak të mirëfilltë.
– Auditim i posaçëm nga KLSH për pagesat e Thesarit drejt KAYO-s dhe kompanive të saj, si dhe për bazën ekonomike të klauzolës “take-or-pay”.
– Amendim i Ligjit nr. 88/2024: ruajtje e pjesëmarrjes minimale shtetërore 51% ose “golden share”, përzgjedhje konkurruese e partnerëve dhe verifikim i pronësisë përfituese.
– Asnjë garanci shtetërore për kontratën e gazit pa studim fizibiliteti dhe miratim në Kuvend.
– Mbrojtje e pavarësisë së SPAK-ut dhe e efektivitetit të masave të sigurisë ndaj zyrtarëve të lartë; zgjidhje e shpejtë e konfliktit institucional të hapur nga çështja Balluku.
– Krijim dhe botim periodik i një regjistri publik të lobimit dhe të takimeve të qeverisë me përfaqësues të kompanive, por edhe me diplomatë të huaj, kur këto takime lidhen me kontrata publike.
– Shqyrtim i detyrueshëm (screening) i investimeve të huaja në energji dhe mbrojtje, përfshirë konfliktet e interesit të ndërmjetësve.
DITA
Burimi: gazetadita.al










