Goditja e organizatave që merren me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit do të jetë një nga prioritetet e Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se objektivi nuk është vetëm zbulimi i parcelave me drogë, por shkatërrimi i gjithë strukturës kriminale që qëndron pas këtij aktiviteti.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rezultatet e vitit 2026
Në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të Guardia di Finanza-s italiane, Hita bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë zhvilluar 31 operacione, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksioneve për goditjen e grupeve kriminale.
Një shqetësim i veçantë, sipas tij, mbetet përfshirja e të miturve në veprimtaritë e paligjshme. Për këtë arsye, policia do të përqendrojë vëmendjen te parandalimi, veçanërisht gjatë muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit 2027.
Parandalimi i të miturve dhe goditja e zinxhirit
“Lufta kundër kanabis duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes me qëllim që mos përfundojë tek të rinjtë.
Fokusi gjatë dy muajve të fundit dhe vitit të ardhshëm do ta kemi tek parandalimi për të përfshirë të miturit në këtë veprimtari kriminale.
Organizatën që po drejtoj do të thellojë rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke goditur me forcën e ligjit çdo hallkë të kësaj veprimtarie kriminale, që nga financimi dhe kultivimi deri tek shitja dhe trafikimi.
Garantoj qytetarët dhe partnerët tanë se policia, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është e angazhuar maksimalisht për të goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti”, deklaroi Hita.
Burimi: euronews.al










