Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Enver Hoxha takon miqtë koreano-veriorë, 1959: SHBA-ja dhe fuqitë perëndimore sulmonin Korenë

Enver Hoxha takon miqtë koreano-veriorë, 1959: SHBA-ja dhe fuqitë perëndimore sulmonin Korenë
Foto: gazetashqiptare.al

Pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit në vitin 1961, Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës u lidh ngushtë me Republikën Popullore të Kinës, të udhëhequr nga Mao Ce Duni. Kjo miqësi u ruajt nga Tirana zyrtare deri në vitin 1978.

Pas kësaj, udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, i mbetën miq vetëm “dy parti motra”: Vietnami dhe Koreja e Veriut, me të cilat ishin lidhur që në vitet ’50. Në këtë kuadër, ish-kreu i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, vizitoi Shqipërinë në vitin 1956 (29 qershor deri më 1 korrik). Tre muaj më pas, më 7 shtator 1956, Enver Hoxha, në krye të një delegacioni të madh të udhëheqjes së lartë të PPSH-së (Ramiz Alia, Fadil Paçrami, Liri Belishova etj.), vizitoi Korenë e Veriut.

Qendra Ndërkombëtare e Arkivave “Wilson” ka publikuar një bisedë mes Enver Hoxhës dhe një delegacioni qeveritar nga Koreja e Veriut, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1959. Po e paraqesim më poshtë.

Takimi i 6 qershorit 1959

Shënime të mbajtura gjatë takimit mes Enver Hoxhës dhe kreut të Presidiumit të Republikës Popullore të Koresë, Çu Jong-Geon. Enver Hoxha dhe Çu Jong-Geon diskutojnë industrinë dhe zhvillimet socialiste në Korenë e Veriut, si dhe kundërshtojnë revizionizmin. Pala shqiptare: Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Liri Belishova, Spiro Koleka, Haki Toska.

ENVER HOXHA: Jemi shumë të lumtur që ju presim, shokë koreanë, pasi populli juaj është një popull heroik, dhe kemi admirim për partinë tuaj të punës dhe për mikun tonë të dashur, shokun Kim Il Sung. Kur shoku Kim Il Sung erdhi në Shqipëri, populli shqiptar ishte shumë i lumtur dhe nuk do ta harrojë kurrë vizitën, ashtu si shqiptarët që vizitojnë Korenë nuk e harrojnë kurrë pritjen e ngrohtë dhe të sinqertë. Si janë shokët Kim Il Sung dhe Pak Jong Ae?

ÇU JONG GEON: Ata janë shumë mirë. Shoku Kim Il Sung më tha t’ju çoj të fala të sinqerta, juve, shoku Enver Hoxha, shokut Mehmet Shehu dhe shokëve të tjerë të partisë dhe të Komitetit Qendror. Përfitojmë nga kjo vizitë për t’ju falënderuar të gjithëve, në emër të popullit korean dhe Partisë Punëtore Koreane, për ndihmën që na keni dhënë gjatë luftës dhe më pas.

ENVER HOXHA: Asistenca jonë ishte shumë e vogël, por më e rëndësishme ishte që kishim në zemër popullin korean dhe e dashuronim. Tani populli shqiptar po punon mirë dhe mund të themi se kemi arritur disa rezultate të mira, jo vetëm në industri dhe bujqësi, por edhe në fushat e arsimit dhe kulturës.

Falë përpjekjes dhe punës së palodhur të popullit tonë, mbështetjes së Bashkimit Sovjetik dhe të popujve të tjerë vëllezër të demokracive popullore, si Koreja, kemi rritur nivelin e jetesës së shqiptarëve. Kemi ndërtuar industrinë tonë, ndërsa më parë ajo ishte pothuajse e paekzistente. Po zhvillojmë industrinë e minierave, veçanërisht atë të naftës, dhe po kryejmë kolektivizimin e bujqësisë. Vitin që vjen pritet të përfundojë kolektivizimi në zonat fushore të ulëta.

Zhvillimi i bujqësisë dhe industrisë

Kemi bërë shumë punë dhe vazhdojmë të punojmë në tharjen e tokave. Kjo do të sjellë fitim të madh për Shqipërinë, pasi në të kaluarën shumë fusha ishin kënetë. Po ndërtojmë kanalizime, ashtu si po bëni edhe ju në Kore. Sigurisht që projektet tona janë më të vogla se ato në vendin tuaj. Gjithsesi, po ndërtojmë shumë prej tyre, dhe njerëzit tanë janë të mobilizuar për përfundimin e tyre, pasi e shohin avantazhin dhe përmirësimin e jetës së tyre. Partia jonë është e fortë, si dhe e juaja.

ÇU JONG GEON: Kjo është më e rëndësishmja.

ENVER HOXHA: Partia jonë është e përkushtuar në rrugën e marksizëm-leninizmit, e bashkuar me popullin, me Bashkimin Sovjetik dhe partitë e tjera motra. Ajo është e patundur në përpjekjen e saj kundër revizionizmit, dhe veçanërisht kundër revizionistëve jugosllavë dhe oportunistëve të ngjyrave të ndryshme. Partia jonë është veçanërisht vigjilente ndaj revizionistëve që ka më pranë.

Qëndrimi ndaj revizionizmit jugosllav

Revizionistët jugosllavë janë armiq brutalë të komunizmit dhe të gjithë kampit tonë socialist. Por partia dhe populli ynë qëndrojnë në një grusht të bashkuar. Ata i kanë duruar të gjitha tentativat e jugosllavëve, dhe këto tentativa e kanë bërë unitetin më të fortë. Gjatë ditëve të fundit, populli ynë festoi rastin e veçantë të vizitës së Hrushovit në Shqipëri, që u prit me lumturi të papërshkrueshme. Populli ynë e shfrytëzoi rastin për të shprehur dashurinë për Bashkimin Sovjetik, për partinë e madhe të Leninit dhe për shokun Hrushov. Shoku Hrushov shkoi kudo në Shqipëri, u takua me punëtorë, fshatarë, intelektualë dhe të rinj.

Ai pa arritjet ekonomike në industri dhe bujqësi dhe i vlerësoi ato. Ky ishte një inkurajim i madh për partinë tonë, por sigurisht që nuk do të na rritet mendja, pasi e dimë se kemi shumë për të bërë, se kemi dobësi dhe gabime në punën tonë. Prandaj duhet të vazhdojmë përpjekjen. Vizita e shokut Hrushov i shtoi përpjekjet tona. Ai na tha se Shqipëria, sado e vogël, është shumë e rëndësishme.

Përvoja e Çu Jong-Geonit në Shqipëri

ÇU JONG GEON: Para se të nisesha për këtu, u takova me shokun Hrushov në Budapest, i cili më tha se kur të shkoja në Shqipëri, do të takohesha me njerëz shumë të veçantë. Teksa po flisnim me shokun Haxhi Lleshi, gjatë pritjes me rastin e vizitës, ai më informoi për sukseset e arritura nga populli shqiptar në ndërtimin e socializmit. Pata shansin të vizitoj Kombinatin Tekstil, u takova me punëtorët dhe u njoha me sukseset e objektit.

Pritja e ngrohtë e punëtorëve më la një përshtypje shumë të mirë. Vumë re se disiplina ishte shumë e mirë, megjithëse kombinati është ende i ri. Nisa të mendoj për dy popujt tanë, Shqipërinë dhe Korenë. Kemi vuajtur shumë në të kaluarën dhe ende përballemi me armiq të fuqishëm. Popujt tanë janë ata që duhet të udhëheqin përpjekjen kundër armiqve.

ENVER HOXHA: Jemi në krye të përpjekjes.

ÇU JONG GEON: Popujt tanë janë të fortë sepse janë të fortë ideologjikisht, sepse kanë një ideologji të përbashkët, marksizëm-leninizmin, prandaj edhe ritmet e punës në Shqipëri dhe Korenë janë të njëjta. Ashtu si populli shqiptar, edhe populli korean nuk trashëgoi asnjë industri nga e kaluara. Gjenerata e vjetër na la të dobët dhe primitivë. Duke vizituar kombinatin tuaj, mendoja se si mund të bëjmë më shumë progres me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera socialiste.

Sigurisht që njerëzit tanë jetojnë në standarde të ulëta jetese, por megjithatë mund të avancojmë për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara. Tani kemi shumë shanse për këtë, dhe popujt tanë janë të gatshëm ta ndjekin këtë rrugë. Në të kaluarën bujqësia e Koresë ishte primitive, por brenda një kohe të shkurtër ajo u bë një vend bujqësor-industrial, dhe brenda 4-5 vjetësh do të jemi një vend i zhvilluar industrial.

Tani të gjitha vendet socialiste po ndjekin të njëjtin kurs, të nisur nga partitë tona. Gjatë vizitës në kombinat dëgjuam se efikasiteti i punës që nga viti i kaluar është rritur me 15%. Kjo tregon se ritmi i zhvillimit në Shqipëri është shumë i madh. Në vitin 1956 ndodhi një kundërrevolucion në Hungari, por megjithatë në Shqipëri nuk pati asnjë tronditje, edhe pse vendi kufizohet me vende kapitaliste si Jugosllavia.

Shoku Hrushov ka thënë se Shqipëria është një strofkë e fortë në mbrojtjen e kampit socialist. Kjo do të thotë se Shqipëria është e fortë dhe qëndron në timonin e mbrojtjes së kampit tonë, dhe të paqes në Ballkan. Në partinë tonë, në 1956, pati një konspiracion për ta shkatërruar nga brenda. Por falë vigjilencës së partisë, komplotistët u zbuluan dhe u eliminuan. Situata në vendin tonë është e qëndrueshme.

Sot nuk është e rëndësishme nëse një vend është i vogël apo i madh, por nëse mban një qëndrim të shëndetshëm ose jo. Me gjithë faktin se popujt tanë janë të vegjël, forca e tyre është e madhe, prandaj propozoj një dolli për forcimin e mëtejshëm të kampit socialist.

Lufta, paqja dhe Bashkimi Sovjetik

ENVER HOXHA: Në Kore nuk dyshoj se ka shumë ndryshime që kur kam qenë herën e fundit, në 1956, qoftë në sektorin industrial, qoftë në bujqësi dhe fusha të tjera.

ÇU JONG GEON: Po, ka shumë ndryshime.

ENVER HOXHA: Ne vazhdojmë të lexojmë në shtyp se shumë fabrika janë ndërtuar, kooperativa të reja bujqësore dhe projekte të mëdha ujitjeje dhe tharjeje tokash. Ju e keni kompletuar kolektivizimin e bujqësisë, falë forcës së madhe të popullit dhe partisë suaj. Shoku Hrushov ka thënë se edhe situata ndërkombëtare po zhvillohet në favor tonë, ndërsa kundërshtarët tanë imperialistë po dobësohen.

Kemi arritur shpresën më të madhe të njerëzimit, atë të evitimit të luftërave, dhe merita për këtë i takon Bashkimit Sovjetik. Si mund të mos e adhurojnë popujt e botës Bashkimin Sovjetik, që mundohet të eliminojë luftërat mes popujve dhe të dobësojë ato forca që shkaktojnë luftërat, të cilat janë kapitalizmi dhe imperializmi? Kjo po bëhet e mundur vetëm falë Bashkimit Sovjetik dhe kampit të fuqishëm që ai drejton.

ÇU JONG GEON: Nëse vazhdojmë edhe dhjetë vjet ose më shumë pa luftëra, ato mund të evitohen përgjithmonë.

ENVER HOXHA: Imperialistët, veçanërisht kapitalistët që na rrethojnë, nuk e kishin menduar asnjëherë se Shqipëria e vogël, të cilën në të kaluarën e përdornin si kusur për pazaret e tyre, ose e sulmonin sipas dëshirës, tani është e paprekshme si një kështjellë.

Këtë kohë ta dëshmojmë: Shqipëria nuk mund të preket, ashtu si Koreja, apo çdo vend tjetër socialist. Për tre vjet me radhë, imperialistët si SHBA, Britania, Franca dhe madje edhe turqit, që janë fqinjët tanë, kanë sulmuar vazhdimisht Korenë Popullore, por morën goditjen e fuqishme nga populli heroik korean.

Popujt e vendeve socialiste nuk do t’i harrojnë kurrë sakrificat e popullit të lavdishëm të Koresë dhe ushtrisë së saj. Ne e kemi parë me sytë tanë sa qytete dhe fshatra u shkatërruan nga lufta dhe si u rindërtuan edhe më të bukura nga më parë. Kjo u bë e mundur me forcën e madhe të popullit dhe partisë, dhe me besimin e patundur në marksizëm-leninizëm.

Kur vizituam Korenë, u takuam me shumë nëna që kishin humbur djemtë dhe vajzat e tyre në luftën gjakatare të armiqve imperialistë, por ato qëndruan të forta si shkëmb graniti. Populli ynë ka dëgjuar për këto histori dhe i ka ndjerë në zemër tragjeditë e luftës së çlirimit.

ÇU JONG GEON: I kam parë vetë ndjenjat luftarake të popullit shqiptar.

ENVER HOXHA: Për këtë çështje, ndjenjat e popullit shqiptar janë të ngjashme me ato të popullit tuaj; vetëm gjuha na ndryshon.

ÇU JONG GEON: Është e vërtetë, popujt tanë kanë shumë ngjashmëri.

Burimi: Memorie.al

Burimi: gazetashqiptare.al

Të fundit Të gjitha