“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore”. Me këtë mesazh, Presidenti Bajram Begaj iu drejtua komunitetit arbëresh gjatë takimit në Romë me homologun italian, Sergio Mattarella.
Takimi në Pallatin Quirinale
Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, pritën në Pallatin Quirinale në Romë kryetarët e komunave arbëreshe në Itali. Begaj vlerësoi rolin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar për më shumë se pesë shekuj, duke i cilësuar si një urë lidhëse mes dy vendeve.
“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh Begaj.
Integrimi dhe identiteti në Evropë
Presidenti falënderoi Mattarellën për mbështetjen e Italisë ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa u ndal edhe te shqiptarët që jetojnë sot në Itali.
“Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve”, theksoi ai.
Thirrja për brezat e rinj
Begaj u bëri thirrje drejtuesve të komunave arbëreshe të përcjellin gjuhën, kulturën dhe traditat te brezat e rinj, me mesazhin: “Bëjini të rinjtë të dashurohen me këtë traditë!”
Në fund të takimit, dy presidentët shkëmbyen dekorata në shenjë vlerësimi të ndërsjellë.
Burimi: shqiptarja.com










