Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, u prezantua në mbrëmjen hapëse të Eastern Neighbours Film Festival, në Hagë të Holandës, si pjesë e programit të hapjes së këtij festivali, sipas KultPlus.
Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në prezantimin e kinematografisë dhe kulturës kosovare para publikut ndërkombëtar.
Programi i mbrëmjes
Përveç filmit, programi përfshiu edhe një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani. Ndër të pranishmit ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë Young Talents.
Më poshtë është postimi i Ambasadës së Kosovës në Hagë:
Ambasada e Republikës së Kosovës pati kënaqësinë të mbështesë mbrëmjen hapëse të Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë, ku filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, ishte pjesë e programit të hapjes.
Mbrëmja u hap me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, dhe vazhdoi me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.
Filmi dhe pritja
Të pranishmit patën rastin të ndjekin filmin “Shame and Money”, i cili tregon historinë e një familjeje nga Kosova, e përballur me vështirësi ekonomike dhe me pasojat e një tradhtie brenda familjes që rrezikon jetesën e saj.
Mbrëmja u mbyll me një pritje të ngrohtë, ku të ftuarit shijuan ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova, duke pasur mundësinë të njihen më nga afër me kulturën dhe traditat tona.
Në këtë edicion të festivalit ishte i pranishëm edhe z. Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talentëve të rinj.
Pjesëmarrja e tij dëshmon edhe një herë kontributin dhe prezencën e profesionistëve kosovarë në skenën ndërkombëtare të filmit, si dhe rolin e tyre në promovimin e kinematografisë dhe krijimtarisë filmike të rajonit.
Ambasada e Republikës së Kosovës falënderon organizatorët dhe të gjithë të pranishmit që u bënë pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë, në të cilën kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë./KultPlus.com


Burimi: kultplus.com










