Më 9 nëntor 1917, në moshën 46-vjeçare, u ekzekutua Themistokli Gërmenji, atdhetari, luftëtari dhe intelektuali që iu përkushtua çështjes kombëtare.
Përpjekjet e para dhe veprimtaria në mërgim
Arkivi i Përgjithshëm kujton se përpjekjet e para patriotike për çlirimin e atdheut, Themistokliu i nisi në mërgatë, pasi shkoi në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. Atje u lidh me shoqëritë patriotike “Drita” dhe “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pas Revolucionit Xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir u bë vatër e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Themistokli Gërmenji u lidh me rrethet arbëreshe të Italisë në vitin 1911 dhe më pas iu bashkua patriotëve shqiptarë të Korfuzit.
Viti i pavarësisë dhe shërbimi shtetëror
Viti i pavarësisë, 1912, e gjeti në krye të një çete luftëtarësh që vepronte në krahinën e Korçës. Gërmenji dha ndihmën e tij për qeverinë e Ismail Qemalit, me detyra të rëndësishme në administratën shtetërore. Në shtator 1914 shkoi sërish në Rumani dhe, në fillim të vitit pasardhës, u zhvendos në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”.
Kthimi në atdhe dhe protokolli i Korçës
Në vitet 1916-1917 u rikthye në atdhe, ku luajti një rol kyç në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, përmes të cilit u shpall Krahina Autonome e Korçës.
Fundi tragjik
Rrugëtimi i tij patriotik përfundoi në mënyrë tragjike. Patrioti Gërmenji u pushkatua më pas nga francezët, të cilët i bënë gjyq ushtarak atdhetarit të madh shqiptar.
/atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com









