Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, Klevis Kaso, ka dhënë një intervistë për Report Tv pas rasteve të shtuara të banorëve që kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, me simptoma të të vjellave dhe diarresë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Studio Live”, Kaso tha se uji doli i pastër sipas analizave të kryera.
Rezultatet e analizave
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët e Vlorës se analizat e dala nga Drejtoria e Shëndetit Publik, analizat fizikokimike dhe bakteriologjike në të gjithë linjën e transmetimit të ujit të pijshëm në qytet kanë qenë brenda normës dhe të pastra. Nga komunikimi me drejtoreshën e spitalit, nuk kanë qenë 68 njerëz të shtruar me urgjencë në spital në asnjë nga ditët e kaluara. Sipas mendimit tim, është një fake news për të bërë zhurmë mediatike dhe për të mbledhur sa më shumë vëmendje ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme që i përket qytetarëve të Vlorës”, tha Kaso.
Kontaminimi dhe reagimi institucional
Sipas tij, edhe në ujësjellësit më modernë të botës rastet e kontaminimit nuk mund të shmangen plotësisht, dhe për këtë arsye reagimi i shpejtë i institucioneve kur sinjalizohen problemet është thelbësor.
“Edhe në ujësjellësit më modernë të botës nuk i shmangim dot rastet e kontaminimit. E rëndësishme është që, nëse sinjalizohen, të reagohet në kohë sa më shpejt. Ne marrim mostra të përditshme, drejtoria jonë bën analiza të përditshme për ujin që shërbejmë në qytet. Ka përgjegjshmëri të lartë institucionale”, tha ai.
Rasti i kopshtit nr. 10
Për fëmijët e kopshtit nr. 10, të cilët dyshohet se u helmuan si pasojë e ujit, Kaso tha se kjo mund të ketë ardhur edhe nga viruset e stinës.
“Ka 100 faktorë, siç ju shpjegova: është sezon virozash. Unë kam një fëmijë katërvjeçar në kopshtin 13 që ka pasur edhe ai dhimbje barku dhe të vjella, dhe nuk është bërë alarm kombëtar”, tha ai.
Investimet në rrjetin e ujit
Në fund të intervistës, Kaso theksoi se në Vlorë po kryhen punime të reja dhe moderne për të rregulluar çdo problematikë që qytetarët kanë hasur. Ai shtoi se vetë banon në lagjen më të vjetër të qytetit, ku tubacionet janë më të amortizuara.
“Vlora po vendos rrjetin e ri, që është një investim shumë serioz dhe i nivelit shumë të avancuar, i financuar nga banka gjermane e zhvillimit. Shpresojmë që deri në fund të vitit ky rrjet të vihet në punë dhe këto probleme të lokalizuara të minimizohen në përditshmërinë e qytetarëve të Vlorës”, nënvizoi Kaso.
Burimi: tirananews.al










