UASHINGTON, 9 nëntor /ATSH/- Drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane “Nvidia”, Jensen Huang, ka pranuar se nuk ka qenë besnik ndaj bashkëshortes së tij, Lori Huang, duke kërkuar falje publike ndaj familjes dhe punonjësve të kompanisë, raportoi “Washington Post”.
Rrëfimi i tij ka nxitur diskutime edhe për pasurinë e jashtëzakonshme të miliarderit dhe pasojat e mundshme financiare në rast të një divorci.
Pasuria dhe ndarja e mundshme
Sipas vlerësimeve të revistës “Forbes”, pasuria e Huang arrin në rreth 162,2 miliardë dollarë.
Nëse e gjithë kjo pasuri do të konsiderohej pronë e përbashkët martesore dhe do të ndahej në mënyrë të barabartë, bashkëshortja e tij mund të përfitonte teorikisht rreth 81,1 miliardë dollarë.
Megjithatë, kjo shifër është vetëm një përllogaritje hipotetike dhe jo një marrëveshje apo vendim gjykate.
Deri më tani, çifti nuk ka njoftuar ndarjen dhe nuk është raportuar ndonjë kërkesë zyrtare për divorc.
Jensen dhe Lori Huang janë martuar në vitin 1985, tetë vjet përpara themelimit të “Nvidia”-s, dhe kanë dy fëmijë.
Çifti jeton në Kaliforni, shtet ku ligji parashikon përgjithësisht ndarjen e barabartë të pasurisë së krijuar gjatë martesës.
Megjithatë, pasuritë e krijuara përpara martesës, trashëgimitë dhe dhuratat mund të trajtohen si pronë personale, ndërsa ndarja përfundimtare, do të varej nga natyra dhe origjina e aseteve, si dhe nga marrëveshjet e mundshme martesore.
Mesazhi drejtuar punonjësve
Në një mesazh drejtuar punonjësve të “Nvidia”-s, më 8 nëntor, Huang pranoi se nuk kishte qenë besnik ndaj bashkëshortes dhe se veprimet e tij kishin lënduar atë dhe fëmijët e tyre.
“Familja ime më ka dhënë dashuri dhe mbështetje gjatë gjithë jetës. Ata meritojnë ndershmërinë dhe besnikërinë time. Në vend të kësaj, i zhgënjeva dhe dëmtova jetën që kemi ndërtuar së bashku”, shkroi ai, duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Ai shprehu gjithashtu besimin se familja e tij do ta kapërcente këtë situatë dhe se me kalimin e kohës do të mund të rifitonte besimin e tyre.
Hetimi i bordit drejtues
Rrëfimi vjen në një moment kur drejtuesi i “Nvidia”-s po përballet edhe me një çështje tjetër, që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane.
Bordi drejtues i kompanisë, ka nisur një hetim të pavarur për të shqyrtuar raportimet se Huang, mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të mundshëm të inteligjencës së huaj.
Sipas raportimeve të medias amerikane, çështja lidhet me marrëdhënien e tij me Alice Huang, një ish-drejtuese e kompanisë me bazë në Singapor, “Megaspeed”, e cila dyshohet nga autoritetet amerikane për lidhje me inteligjencën kineze.
Sipas këtyre raportimeve, ajo mund të jetë përpjekur të sigurojë informacione për “Nvidia”-n dhe teknologjinë e saj.
Këto pretendime janë pjesë e raportimeve dhe dyshimeve që po shqyrtohen, ndërsa Kina i ka hedhur poshtë akuzat për një operacion spiunazhi, duke i cilësuar ato të pabazuara.
Bordi i “Nvidia”-s deklaroi se nuk ka arsye të besojë se siguria kombëtare amerikane apo sekretet tregtare të kompanisë janë komprometuar.
Hetimi do të drejtohet nga një komitet i anëtarëve të pavarur të bordit, me ndihmën e këshilltarëve të jashtëm ligjorë.
Huang ka deklaruar se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe se mbetet i përkushtuar ndaj drejtimit të kompanisë, një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë, të procesorëve për inteligjencën artificiale. //a.i/
Burimi: ata.gov.al










