Sqarimi i Presidencës
Pas reagimeve të shumta lidhur me zhvendosjen e fotografisë së presidentit historik Ibrahim Rugova dhe asaj të Deklaratës së Pavarësisë nga hapësirat e Presidencës, ka ardhur edhe një sqarim nga ky institucion, shkruan Gazeta Metro.
Bekim Kupina, zyrtar për informim në Presidencën e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Metro, ka thënë se asnjëra prej tyre nuk është larguar nga zyra e Presidencës.
“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, deklaroi Kupina.
Reagimet nga opozita
Sqarimi i Presidencës vjen pas reagimeve në opinion publik dhe atyre nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me zhvendosjen e fotografisë së Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kishte reaguar më herët duke kundërshtuar këtë veprim dhe duke theksuar rëndësinë historike të figurës së Rugovës dhe të Deklaratës së Pavarësisë për shtetin e Kosovës.
Burimi: pressonline.al










