Nga Spiten Prulli-
Nëse qytetarët protestojnë për muaj dhe studentët mbushin sheshet për javë, lind një pyetje që nuk mund të shmanget pafundësisht: si do të shndërrohet kjo energji në pushtet për të ndryshuar vendin? Pakënaqësia mund të tronditë qeverinë, por ndryshimi i qëndrueshëm kërkon organizim, program dhe përfaqësim. Prandaj, krijimi i një force të re politike nga njerëzit e angazhuar në këto protesta është një ide që meriton mbështetje serioze.
Kur protesta nuk mjafton
Qytetarëve nuk mund t’u kërkohet të dalin vazhdimisht në rrugë, të përballen me lodhjen dhe kostot e protestës, ndërsa vendimet për të ardhmen e tyre vazhdojnë të merren nga të njëjtat struktura politike. Në një moment, kundërshtimi duhet të fitojë mundësinë për të qeverisur.
Nëse protestuesit kërkojnë të ndryshojnë mënyrën si ushtrohet pushteti, kanë të drejtën të organizohen për ta marrë atë me votë.
Kjo është rruga demokratike për ta sfiduar sistemin e vjetër politik. Një lëvizje qytetare nuk duhet të pranojë rolin e përhershëm të presionit nga jashtë, duke pritur që partitë ekzistuese t’ia përkthejnë kërkesat në vendime. Ajo mund të ndërtojë përfaqësimin e vet dhe t’u kërkojë drejtpërdrejt qytetarëve besimin.
Studentët kanë arsye të veçanta për ta shqyrtuar këtë mundësi. Çështjet e tyre lidhen me mënyrën si drejtohet vendi: cilësinë e arsimit, koston e jetesës, punësimin, meritën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen këtu. Për këto probleme nevojiten vendime politike. Përfshirja në politikë mund t’u japë mundësinë t’i hartojnë vetë ato vendime.
Besueshmëria si kusht i parë
Por një parti e dalë nga protestat duhet ta justifikojë që në lindje premtimin e ndryshimit. Emri i ri, mosha e re dhe gjuha e fortë nuk mjaftojnë. Shqipëria ka nevojë për një organizatë që zgjedh drejtuesit me konkurrim, publikon financimet, u jep anëtarëve të drejtën të kundërshtojnë dhe vendos kufij të qartë ndaj pushtetit të kryetarit.
Një forcë që premton të shembë sistemin e kryetarëve të përjetshëm duhet të fillojë duke kufizuar kryetarin e vet.
Kjo është prova e parë e besueshmërisë. Kush kërkon transparencë nga qeveria, duhet të tregojë kush e financon. Kush kërkon meritë në administratë, duhet ta zbatojë në përzgjedhjen e kandidatëve. Kush denoncon klientelizmin, duhet të heqë dorë nga ndarja e posteve si shpërblim për besnikëri personale.
Po aq i domosdoshëm është programi. Zemërimi e mbledh sheshin; për të drejtuar institucionet duhen zgjidhje. Një forcë e re duhet të tregojë si do të përmirësojë arsimin, si do të mbrojë konkurrencën, si do të kontrollojë shpenzimet publike dhe si do t’u shërbejë qytetarëve pa i pyetur për bindjet politike. Premtimet duhet të kenë afate, kosto dhe përgjegjës.
Hapësira për të gjithë
Partia e re duhet të lindë nga një proces i hapur, ku askush nuk e shpall veten pronar të protestës. Pjesëmarrja në një tubim nuk përbën autorizim automatik për krijimin e një partie në emër të të gjithëve. Ata që dëshirojnë të organizohen politikisht duhet ta bëjnë hapur, ndërsa protesta duhet të ruajë hapësirë edhe për qytetarët që zgjedhin të mbeten të pavarur.
Kjo ndarje do ta forconte nismën. Do të tregonte se drejtuesit e saj e kuptojnë pluralizmin dhe nuk e trajtojnë mbështetjen qytetare si pronë.
Partitë ekzistuese do të përballeshin kështu me një konkurrencë që mund t’i detyrojë të ndryshojnë. Një alternativë serioze mund t’ua vështirësojë zakonin për ta marrë elektoratin të mirëqenë dhe për ta kufizuar zgjedhjen te të njëjtët njerëz. Vetë hyrja e saj në garë do të kishte vlerë, nëse ngrinte standardin e përfaqësimit.
Nga sheshi te vendimet
Prandaj nga protestat qytetare dhe studentore mund të dalë një forcë e re politike konkurruese. Ajo duhet të synojë pushtetin përmes votës dhe ta përdorë atë për të ndryshuar rregullat që ushqejnë abuzimin, klientelizmin dhe pandëshkueshmërinë.
Sheshi ka fuqinë të thotë “mjaft”. Një alternativë e organizuar ka mundësinë ta kthejë këtë thirrje në vendime. Shqipërisë i duhet kjo mundësi dhe qytetarët kanë të drejtën ta ndërtojnë vetë.
Burimi: kohajone.com










