TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Më 10 nëntor të vitit 1895, në Drenicë lindi luftëtarja Shote Galica.
E rritur që fëmijë me bëmat e trimëreshave shqiptare, Shote Galica dëshmoi se lufta nuk është e lidhur me gjininë, duke marrë armën përkrah burrit të saj, Azem Bejtës. Thënia e saj e njohur, “Jeta pa dije është si një luftë pa armë”, citohet ende sot si mësim për edukimin e brezave.
Jeta dhe rrugëtimi atdhetar
Emri i vërtetë i bijës së Radishevës ishte Qerime. Ajo ishte e vetmja vajzë e familjes dhe u rrit njësoj si gjashtë vëllezërit, duke u frymëzuar nga patriotët e kohës si Isa Boletini, Mehmet Deliu, Ramadan Radisheva dhe Halit Bajrami. Shote Galica u dallua për qëndresën e palëkundur ndaj autoriteteve ushtarake serbe që nga fillimi i viteve ’20, deri kur u zhvendos në Shqipëri.
Në fund të dimrit të vitit 1926, u vendos në Shullaz të Krujës, së bashku me fëmijët e të rënëve.
Letra drejtuar Ahmet Zogut
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një fragment nga një letër që Shote Galica i drejtonte Ahmet Zogut. “Janë fëmijët e luftërave të vramë për çlirim të Kosovës. Jam e shtrënguar t’ju vë në dijeni se jam duke vdekur unë bashkë me fëmijët jetimë”, shkruante Shote Galica, pak kohë para se të shuhej. Për kontributin e saj atdhetar, u nderua me titullin “Heroinë e Popullit”. /j.p/
Burimi: ata.gov.al









