Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Kur duhet të shqetësohemi për lëkurën dhe flokët?

Kur duhet të shqetësohemi për lëkurën dhe flokët?
Foto: abcnews.al

Kruarje në kokë, skuqje në fytyrë, lytha të vegjël në qafë apo rënie e flokëve. Janë shqetësime të shpeshta që shumë njerëz i përjetojnë çdo ditë, por jo gjithmonë e dinë se çfarë fshihet pas tyre.
Dermatiti seboreik është një nga problemet më të zakonshme të lëkurës. Ai shfaqet kryesisht në zonat ku lëkura prodhon më shumë yndyrë, si skalpi, fytyra, vetullat dhe zona pas veshëve.
Zbokthi, skuqja, kruarja dhe luspat e bardha apo të verdha janë shenjat më të zakonshme.

Dermatiti seboreik: çfarë është dhe çfarë nuk është

Por dermatiti seboreik nuk është ngjitës dhe nuk lidhet me mungesën e higjienës personale. Stresi, ndryshimet e temperaturave dhe prania e një majaje të quajtur Malassezia mund të ndikojnë në përkeqësimin e simptomave. Një tjetër shqetësim janë akrokordonet, të njohura si fibroma të buta ose lytha të varur.

Këto formacione të vogla shfaqen më shpesh në qafë, nën sqetulla dhe në palat e lëkurës. Zakonisht janë beninje, por mund të shkaktojnë shqetësime kur fërkohen me veshjet apo bizhuteritë.
A mund t’i heqim vetë në shtëpi? Dermatologia Dajana Zenelaj këshillon të mos përdorim metoda të pakontrolluara, si prerja, lidhja me fije apo preparatet shtëpiake, pasi mund të shkaktojnë gjakderdhje, infeksion dhe dëmtime të lëkurës. Edhe rënia e flokëve është një problem që nuk duhet neglizhuar.

Rënia e flokëve dhe shenjat që kërkojnë kujdes

Stresi, ndryshimet hormonale, mungesat ushqyese, problemet e tiroides dhe trashëgimia gjenetike mund të ndikojnë në shëndetin e flokëve.
Por si ta dallojmë rënien e përkohshme nga problemet që kërkojnë trajtim të specializuar?
Në fokus janë edhe infeksionet mykotike, të cilat mund të prekin lëkurën, thonjtë dhe skalpin, duke shkaktuar kruarje, skuqje dhe ndryshime në pamjen e thonjve.

Trajtimi varet nga lloji i infeksionit dhe zona e prekur, ndaj përdorimi i preparateve pa diagnozë mund të mos jetë zgjidhja e duhur. Kur duhet të shqetësohemi për ndryshimet në lëkurë? Cilat janë shenjat që nuk duhet t’i injorojmë dhe kur është momenti të kërkojmë ndihmën e dermatologut? Përgjigjet i marrim nga dermatologia Dajana Zenelaj, e cila na ndihmon të kuptojmë më mirë problemet më të shpeshta të lëkurës dhe flokëve, si dhe mënyrat e duhura për t’u kujdesur për to.
abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha