Një avion historik i periudhës së Luftës së Ftohtë po zhvendoset pjesë-pjesë drejt Muzeut të Trashëgimisë Chetton, në Shropshire të Anglisë, ku do të restaurohet dhe do të ekspozohet për publikun.
Avioni Vickers Varsity WL679, i ndërtuar në vitin 1953, ishte i fundit i këtij lloji në botë që vazhdonte të fluturonte. Ai përfundoi fluturimin e tij të fundit në korrik të vitit 1992, në bazën ajrore RAF Cosford, ku më pas u ekspozua në Muzeun RAF Midlands.
Zhvendosja e avionit
Zhvendosja e tij do të realizohet gjatë dy ditëve, përmes çmontimit dhe transportimit të pjesëve të avionit në disa faza, për t’u rimontuar më pas në muze, në një proces që kryetari i institucionit, Julian Millington, e ka krahasuar me ndërtimin e një modeli gjigant avioni.
I njohur me nofkën “Flying Pig” (Derri Fluturues), për shkak të formës së tij të gjerë dhe të rrumbullakët, avioni ishte njëri prej 163 ekzemplarëve të prodhuar nga kompania Vickers-Armstrongs Ltd., në Bournemouth/Hurn.

Millington është shprehur se pranimi i avionit si dhuratë për muzeun është një nder i madh, por edhe një përgjegjësi për ta ruajtur në gjendje sa më të mirë.
“Ne do ta restaurojmë në masën më të mirë të mundshme”, ka deklaruar ai.
Rimontimi dhe ekspozimi
Pas transportimit të të dy pjesëve kryesore, muzeu dhe vullnetarët do të punojnë për ta rimontuar avionin, me qëllim që ai të jetë gati për ekspozim. Sipas Millington, ekipi duhet ta përfundojë procesin deri në mesin e dhjetorit, si kusht për marrjen e tij nga Muzeu RAF Midlands.
Ai ka bërë të ditur se në këtë angazhim janë përfshirë vullnetarë dhe pjesëtarë të Forcave Ajrore Mbretërore britanike nga pjesë të ndryshme të vendit.
Muzeu i Trashëgimisë Chetton e ka cilësuar ardhjen e avionit si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e institucionit dhe në ruajtjen e trashëgimisë historike për kërkime.
Vickers Varsity WL679 kishte shërbyer edhe në kërkime dhe zhvillime teknologjike, përfshirë studimet e para me rreze infra të kuqe dhe aktivitete të tjera kërkimore e vëzhguese. Përmes ekspozimit të tij, muzeu synon t’u mundësojë brezave të rinj të mësojnë më shumë për historinë e aviacionit britanik./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










