Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Sesame Street, 57 vjet argëtim dhe mësim për fëmijët

Sesame Street, 57 vjet argëtim dhe mësim për fëmijët
Screenshot

Seriali i njohur amerikan për fëmijë “Sesame Street” shënon sot 57-vjetorin e transmetimit të tij të parë, duke mbetur një prej produksioneve më jetëgjata dhe më me ndikim në historinë e televizionit edukativ.

I krijuar nga Joan Ganz Cooney dhe Lloyd Morrisett, seriali pati premierën më 10 nëntor 1969 në Shtetet e Bashkuara. Ai u konceptua si një program që përmes argëtimit do të ndihmonte fëmijët e moshës parashkollore të zhvillonin njohuritë dhe aftësitë e tyre, duke ndërthurur aktrimin, humorin, animacionin dhe kukullat.

Personazhet kukulla të Jim Hensonit

Një prej elementeve më të veçanta të produksionit janë personazhet kukulla të krijuara nga Jim Henson, të cilat ndër vite janë shndërruar në figura të njohura për breza të tërë fëmijësh.

Përmes historive të shkurtra, këngëve dhe situatave të përditshme, “Sesame Street” trajton tema që lidhen me mësimin e shkronjave dhe numrave, zhvillimin e gjuhës, miqësinë, emocionet dhe pranimin e dallimeve. Programi u bë gjithashtu një prej të parëve që ndërtoi përmbajtjen mbi objektiva të qarta edukative dhe që ndikimin e tij arsimor e vlerësoi përmes studimeve kërkimore.

Përshtatja dhe suksesi ndërkombëtar

Gjatë dekadave, seriali është përshtatur me ndryshimet kulturore dhe shoqërore, duke zgjeruar temat dhe mënyrat e komunikimit me audiencën e re. Përtej Shteteve të Bashkuara, ai ka njohur sukses ndërkombëtar përmes versioneve të prodhuara në vende të ndryshme. Në vitin 2009, në 40-vjetorin e tij, transmetohej në më shumë se 140 shtete.

Rëndësia e tij në historinë televizive është reflektuar edhe në vlerësimet dhe çmimet e shumta. Sipas të dhënave të publikuara, deri në vitin 2022, “Sesame Street” kishte fituar 222 çmime Emmy dhe 11 çmime Grammy, duke u renditur ndër produksionet më të vlerësuara për fëmijë.

Pas më shumë se pesë dekadash, “Sesame Street” vazhdon të përfaqësojë një model të televizionit që ndërthur edukimin dhe argëtimin, duke ruajtur ndikimin e tij në formimin e brezave të rinj./KultPlus.com

Sesame Street, 57 vjet argëtim dhe mësim për fëmijët

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha