TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot gjatë një bisede online me mbështetësit. Ai u shpreh për fjalimin e kryeministrit Edi Rama në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS-së, për zhvillimet e javës, për raportin e Komisionit Evropian dhe për vendimin për të mos zhvilluar samitin e NATO-s në vitin 2027 në Shqipëri. Berisha e cilësoi këtë vendim si politik, me qëllim që samiti të mos zhvillohet në Tiranë.
Reagimi ndaj raportit të Komisionit Evropian
“Në qoftë se Mali i Zi u vendos që së shpejti të firmosë anëtarësimin e tij në BE, Shqipëria me Edi Ramën nuk ka asnjë perspektivë”, theksoi Berisha, duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian.
“Raporti i Komisionit Evropian ishte raporti më kritik në historinë e të gjitha raporteve, e dhjetëra dhjetëra raporteve të publikuara nga ky Komision për Shqipërinë”, tha ai.
Vendimi për samitin e NATO-s
Berisha pohoi se “padrinoja i Shqipërisë mori goditje nga Aleanca e Atlantikut të Veriut”, e cila, sipas tij, vendosi të mos e bëjë samitin në Shqipëri për shkak të lidhjeve të Edi Ramës me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës. Ai shtoi se arsye ishin edhe dekonspirimi i sekreteve shtetërore dhe dërgimi i tyre te kartelet e drogës dhe armiqtë e NATO-s e të Shqipërisë, pa dhënë prova për këto pretendime.
Trajtimi i studentëve dhe fjalimi në Asamble
Berisha e lidhi gjithashtu vendimin me “trajtimet shtazarake që u bëri Edi Rama studentëve në revoltë kundër tij, duke përdorur mjete dhe praktika të dënuara nga konventat ndërkombëtare, kryekëput çnjerëzore dhe të ndaluara edhe për palët ndërluftuese”.
Duke iu referuar fjalimit të Ramës në Asamble, Berisha tha se ai fliste përçart. Sipas tij, asnjë hetim nuk po bëhet për Ramën, ndërsa Lubi Balluku, që për 25 vjet konsiderohej “këmisha” e tij, u gjet me 300 apartamente, vila në Shqipëri dhe Itali, arka me euro dhe, sipas tij, qindra milionë në banka offshore. Berisha nuk paraqiti dokumentacion për këto të dhëna gjatë bisedës.
Burimi: ata.gov.al










