Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Pirro Dhima dorëheqje, ministri grek nuk e pranon

Pirro Dhima dorëheqje, ministri grek nuk e pranon
Foto: albeu.com

Pirro Dhima i ka kërkuar ministrit grek të Sportit, Yiannis Vroutsis, të largohet nga detyra e këshilltarit të tij. Kërkesa erdhi vetëm disa orë pasi emri i vëllait të Dhimës, Odiseas Dhima, u përfshi në një skandal me steroide.

Mediat greke raportojnë se legjenda e peshëngritjes e mori këtë vendim për arsye ndjeshmërie. Vëllai i tij 58-vjeçar është arrestuar nën akuzën se u siguronte sportistëve substanca të ndaluara për të përmirësuar performancën fizike.

Ministri refuzon dorëheqjen

Yiannis Vroutsis, megjithatë, nuk ia ka pranuar dorëheqjen. Sipas Protothema.gr, ministri i ka thënë Dhimës se nuk është përgjegjës për veprimet e një pjesëtari të familjes, duke e pyetur: “Çfarë lidhje keni ju me këtë?”.

Pirro Dhima vazhdon të jetë sekretar special në Federatën Greke të Peshëngritjes. I konsideruar ndër sportistët më të mëdhenj të kësaj disipline, ai ka fituar për Greqinë tri medalje të arta dhe një të bronztë në Lojërat Olimpike.

Reagimi i ish-kampionit

Çështja e Odiseas Dhimës ka ndikuar në gjendjen emocionale të ish-kampionit olimpik, i cili deri tani nuk është shprehur publikisht për ngjarjen.

Odiseas Dhima, 58 vjeç, u arrestua mëngjesin e së enjtes, më 12 nëntor, në një zonë të Atikës, nën dyshimin se kishte shkelur ligjet antidoping. Arrestimi pasoi një hetim disa mujor të kryer në bashkëpunim me Organizatën Helenike Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).

Ndaj tij ka nisur procedimi penal për një krim të rëndë dhe një kundërvajtje. Çështja i është kaluar një hetuesi për hapat e mëtejshëm ligjorë.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha