Pirro Dhima ka dorëhequr nga posti i këshilltarit special në Ministrinë e Sportit në Greqi, pasi skandali i dopingut përfshiu vëllain e tij, Odhise Dhima.
Sipas mediave greke, dorëheqja e kampionit olimpik nuk u pranua nga zëvendësministri i Sportit, Janis Vrutsis.
Pirro Dhima e dha dorëheqjen për arsye ndjeshmërie dhe dinjiteti personal, raporton Protothema. Megjithatë, Vrutsis nuk e pranoi, duke argumentuar se në këtë rast nuk ekziston përgjegjësi familjare. “Çfarë lidhjeje ke ti me këtë çështje?”, i është përgjigjur ai sipas raportimit.
Vazhdon të mbajë postin në federatë
Pirro Dhima vazhdon të mbajë postin e sekretarit special në Federatën e Peshëngritjes. Peshëngritësi i njohur i ka sjellë Greqisë tri medalje olimpike ari dhe një medalje bronzi.
Arrestimi dhe akuzat ndaj Odhise Dhimës
58-vjeçari Odhise Dhima u arrestua të enjten në mëngjes, në një zonë të Atikës, për shkelje të ligjit kundër dopingut. Arrestimi erdhi pas një hetimi disa mujor, të zhvilluar në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF).
Ai akuzohet se furnizonte sportistët me substanca të ndaluara dopingu. Mes rasteve që përmend policia është edhe ai i djalit të tij të mitur, të cilit dyshohet se i dha një substancë të ndaluar gjatë një gare.
Në mostrën e urinës së sportistit të mitur u zbulua oksandrolon, një substancë që figuron në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA).
Sipas policisë greke, Dhima dyshohet se e shfrytëzonte rolin e tij si trajner peshëngritjeje për t’i furnizuar sportistët me substanca të ndaluara dhe për t’ua administruar ato, të paktën që nga prilli i vitit 2024.
Sekuestrimet e policisë
Gjatë kontrolleve në banesën e 58-vjeçarit dhe në ambiente sportive në Atikë, policia gjeti dhe sekuestroi 871 njësi preparatesh farmaceutike të paligjshme dhe substancash dopingu, në formë tabletash dhe ampulash. U sekuestruan gjithashtu 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.
Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave të Greqisë, preparatet e sekuestruara nuk kanë autorizim për t’u tregtuar në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e personave që i përdorin.
Burimi: shqiptarja.com










