Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët në Hagë shpallet të martën

Aktgjykimi për Thaçin dhe të tjerët në Hagë shpallet të martën
Foto: albeu.com

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin pasnesër, të martën në orën 10:00, aktgjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për administrimin e drejtësisë.

Bashkë me Thaçin, në këtë çështje janë të akuzuar edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Akuzat ndaj të pandehurve

Aktakuza, e konfirmuar më 29 nëntor 2024, i lidh akuzat me pretendimet për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.

Sipas aktakuzës, nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Thaçi u ka përcjellë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si edhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre. Prokuroria pretendon se ai ka bashkërenduar edhe tri grupe të veçanta për të ndikuar në dëshmitë në procesin për krime lufte.

Thaçi përballet me tri akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, katër për shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen me nga dy akuza secili, ndërsa Kuçi me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Kërkesa e prokurorisë

Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, si dhe që periudha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.

Gjykimi i mëparshëm

Më 16 shtator të këtij viti, ish-presidenti Thaçi u dënua me 25 vjet burgim në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha