Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Nga Luzati në Tepelenë te Mali i Buzë Bredhit: pamje magjepsëse

Nga Luzati në Tepelenë te Mali i Buzë Bredhit: pamje magjepsëse
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Katër kilometra pas Tepelenës, në rrugën kombëtare drejt Gjirokastrës, kthesa për fshatin Luzat të fton në një parajsë natyrore, një nga zonat e paeksploruara por mahnitëse të vendit.

Fshati dhe banorët e tij

Pjesa historike e fshatit, me shtëpi të vjetra por shumë piktoreske të vendosura në këmbët e maleve mbi 1500 metra, me pyje dhe përrenj, ka sot vetëm pesë shtëpi të banuara, të gjitha nga të moshuar. Pjesa tjetër e banorëve është larguar për emigrim ose drejt qyteteve të afërta, si Tirana.

Shtëpitë janë të mëdha, me oborre të mbuluara me pjergulla dhe pemë frutore, ndërsa pulat dhe kafshët e tjera shtëpiake enden të lira nëpër rrugët e fshatit.

Banorët e mbetur janë shumë mikpritës. Një grua na hap derën sapo i kërkojmë të mbushim ujë përpara se të nisemi për në Majën e Buzë Bredhit, në malësinë mbi fshat. Ajo jeton aty me bashkëshortin, ndërsa fëmijët janë në emigracion.

“Ke shtëpi të bukur”, i them. “Kemi punuar tërë jetën për këtë shtëpi”, më kthen ajo me theksin e zonës, që nuk tingëllon aspak i ashpër.

Vende për t’u vizituar

Edhe pse duket një fshat modest, Luzati ka shumë për të ofruar. Shumë pranë rrugës kombëtare, fshati është pikënisje për disa aktivitete në natyrë, por edhe për atraksione kulturore.

Shtëpia-muze e familjes Kalo është njëra prej tyre. E rindërtuar për të ruajtur dhe ekspozuar historinë, kulturën dhe trashëgiminë patriotike të zonës, ajo përmban objekte të jetës së përditshme të hershme, dokumente historike dhe dëshmi të kontributit të fshatit në ngjarjet e mëdha kombëtare.

Shkolla e vjetër e fshatit është shndërruar në qendrën rajonale LuzatArt. Çdo vit, zakonisht në mesin e gushtit, fshati pret artistë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe bota, të cilët jetojnë në fshat për disa ditë.

Artistët krijojnë instalacione, mozaikë, skulptura në gur e dru dhe piktura murale direkt në hapësirat e jashtme. Një nga veprat e njohura është muralja “Hëna” e artistit italian Giorgio Rizzo. Këto punime mbeten aty përgjithmonë, duke krijuar një muze arti bashkëkohor në natyrë, ku skulpturat dhe instalacionet janë të shpërndara mes kodrave, pemëve dhe mureve prej guri të Luzatit.

Banorët e mbetur mbajnë gjallë shtëpitë dhe traditat, duke pritur të ikurit, që kthehen gjithmonë për të parë njerëzit e tyre dhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e banesave, tokave dhe bagëtisë.

Shtegu drejt malit

Për vizitorët në një ditë nëntori, fshati duket shumë i qetë. Në fillim të shtegut drejt maleve, ku synimi është maja e Buzë Bredhit, apo siç njihet nga vendasit, Mali i Buzë Derrit, gurorja shfaq pamje fantazmagorike gërmimesh, gropash dhe tunelesh, por aty nuk punohet më.

Për ata që duan pak lodhje, itinerari mund të përfshijë Ujëvarën e Luzatit (e njohur nga vendasit edhe si Ujëvara e Lyerit ose Tre Ujëvarat), e fshehur brenda një mase të dendur bimësie.

Janë tre ujëvara të njëpasnjëshme, vetëm pak metra larg njëra-tjetrës. Uji buron i ftohtë nga shpatet e Malit të Buzë Derrit. Ndryshe nga disa ujëvara të tjera të Jugut që thahen plotësisht gjatë verës, Luzati karakterizohet nga burime të shumta ujore, që bëjnë që uji të gurgullojë pothuajse gjatë gjithë vitit.

Pjesa më e lartë është thjesht mahnitëse, me një shteg malor që kalon mes pyllit, ku pemë të të gjitha llojeve mbushin shpatet, ndërsa shkurret e verdha dhe të kuqe krijojnë ngjyra të fuqishme.

Pyjet dhe bimësia

Pyjet mbi Luzat dallohen për bimësi të dendur. Bredhi i Bardhë është krenaria e këtij mali, aq sa një nga pikat më të famshme natyrore mbi fshat quhet pikërisht “Buza e Bredhit”, e cila gëzon edhe statusin e Monumentit të Natyrës.

Shkoza e kuqe është “shkaktarja” kryesore e të kuqes së flaktë nëpër shkëmbinjtë e Tepelenës. Gjethet e saj rrumbullake kthehen në flakë të kuqe dhe portokalli të thellë, duke krijuar kontrast të jashtëzakonshëm me gjelbërimin e përhershëm të bredhave te “Buza e Bredhit”.

Masivi pyjor ka edhe panjë të egër, gjethet e së cilës, në formë ylli, kthehen në nuanca spektakolare, nga e verdha e ndezur deri te e kuqja e pastër.

Brenda dhe rreth fshatit, syri takon drurë shekullorë, disa ende madhështorë me degët drejt qiellit, e disa të tjerë të goditur nga rrufetë ose të konsumuar nga koha.

Ndërsa vazhdon ngjitjen, zhurmave të pyllit dhe malit u shtohen lehjet e qenve të disa staneve. Ndërtesat me çati llamarine dhe lerat me ujë, që shuajnë etjen e bagëtive gjatë verës, tregojnë se blegtoria është aktiviteti më i rëndësishëm për jetesën e banorëve. Gjatë rrugës takohen kryesisht tufa dhish. Bulmeti i zonës është i famshëm dhe i kërkuar në gjithë vendin.

Shtegu kalon mbi disa kurriza malore dhe zgjatet deri sipër pyllit, ku nisin kullotat alpine. Sapo arrin Buzën e Bredhit, peizazhi ndryshon tërësisht.

Maja e Buzë Derrit

Sipas legjendave lokale, maja e Buzë Derrit e ka marrë emrin nga një derr gjigant që, i ndjekur nga gjahtarët, i lodhur dhe i inatosur, u përplas me malin dhe u kthye në shkëmb. Kur shihet nga afër, legjenda duket se merr vërtetësi, pasi çarjet e mëdha, shkëmbinjtë e prerë si me thikë dhe lëndinat e gropëzuara krijojnë përshtypjen e një përplasjeje madhore. Me siguri jo nga një derr gjigant, por shkëputje gjeologjike të së kaluarës kanë krijuar format e relievit në këtë vend.

Emri mund të vijë edhe nga derrat e shumtë që populloinë pyjet, gjurmët e të cilëve ishin të dukshme gjatë gjithë shtegut nga gërmimi i tokës për nxjerrjen e rrënjëve të ushqyeshme. Ai mund të vijë edhe nga ngjashmëria e majës me një noçkë që qëndron mbi honet e thella të luginës.

Maja të pret me erë të ftohtë dhe pika shiu, që nuk të lejojnë të qëndrosh gjatë, por sa për të memorizuar pamjen e mrekullueshme të luginës së Vjosës, që duket e tërë nga grykë e Mezhgoranit, përgjatë shtratit të butë në Tepelenë, duke u zhdukur në largësi drejt perëndimit.

Në anën jugore, maja mbaron me një greminë të frikshme dhe mbresëlënëse, një mur shkëmbor vertikal 700 metrash, që bie thikë mbi fundin e luginës së Luzatit. Nga ana tjetër, ndeshen gropa të mëdha karstike.

Përtej luginës së Vjosës ngrihet vargmali i Shëndëllisë, Lunxhërisë dhe Buretos, me maja që ngrihen njëra pas tjetrës, paralelisht.

Në veri, Maja e Këndërvicës dallohet madhështore në lartësinë 2121 m, maja më e lartë e Malësisë së Kurveleshit. Pamja arrin deri te kurrizorja e Çikës. Më në jug shihet lugina drejt zonës së Gjirokastrës, e rrethuar nga kodra dhe fshatra të vegjël të izoluar.

Ngjitja në Majën e Buzë Bredhit duhet pranuar se është sfiduese, por shpërblen gjithkënd që ka durim ta arrijë, me një nga pamjet më të egra dhe më të bukura të Labërisë.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha