Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Gripi me temperaturë të lartë: mjekja paralajmëron për efekte dytësore tek të moshuarit

Gripi me temperaturë të lartë: mjekja paralajmëron për efekte dytësore tek të moshuarit
Foto: rtsh.al

Luhatjet e temperaturave dhe ndryshimet e kushteve atmosferike kanë bërë që në qendrat shëndetësore të shtohet numri i ankesave të pacientëve. Temperatura, kollë, dhimbje fyti dhe sekrecione nazale janë ndër simptomat më të shpeshta, ndërsa mjekët vërejnë një pamje klinike të ndryshme, nga rastet më të lehta deri te ato më të rënda.

Infeksionet bakteriale pas gripit

“Kemi pasur edhe infeksione të traktit të sipërm, të laringut, faringut dhe tonsilave, domethënë tonsilite purulente. Këto u diagnostikuan përmes një kulture të fytit, e cila nuk tregoi grip apo virus, por shtame bakteriale, stafilokok dhe streptokok”, tha mjekja Violeta Kaçorri.

Ajo tregon për RTSH se janë shumë rastet kur të rriturit, pasi kanë pasur vetëm një episod të lehtë me temperaturë, janë rikthyer pas disa ditësh me bronket të mbushura me sekrecione.

“Me një temperaturë 37 gradë, pacienti sigurisht nuk shkon te qendra në ditën e parë. Por më pas temperatura rikthehet dhe kjo tregon një mbivendosje bakteriale. Pas 10 ditësh temperatura është 38 gradë dhe pacientët kanë kaluar në bronkit, ndonjëherë edhe në bronkopneumoni”, shprehet mjekja.

Pasojat tek të moshuarit

Gripi po prek të gjitha moshat, por tek personat mbi 60 vjeç, sipas mjekëve, ai lë edhe pasoja dytësore.

“Janë prekur kryesisht grupmoshat mbi 55-60 vjeç, dhe ata kanë pasur probleme dytësore. Për shembull, një pacient ka ardhur dy javë pas kalimit të gjendjes virale me presion shumë të lartë dhe infeksion urinar, i cili u zbulua vetëm në një analizë urine pa shenja simptomatike. Kjo ndodh sidomos te diabetikët, që nuk kanë shenja, dhe te pacientët me dhimbje koke të vazhdueshme”, deklaron mjekja.

Këshillat e mjekëve

Mjekët këshillojnë pacientët të mos i neglizhojnë simptomat, sidomos kur temperatura rikthehet dhe përkeqësohet. Vaksinimi kundër gripit është pranuar shpejt nga grupet me rrezik, ndërsa shmangia e kontakteve me njerëz të sëmurë mbetet masë e rëndësishme parandaluese.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Burimi: rtsh.al

Të fundit Të gjitha