Një ditë pas shkarkimit të tij si kryetar i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë, duke dhënë një mesazh të koduar përmes Maratonës së kryeqytetit. Ai ka ndarë një video nga momenti kur tymueset shumëngjyrëshe sinjalizojnë nisjen, ku kryebashkiaku jep një mesazh inkurajues për të mos u dorëzuar.
Mesazhi i Veliajt
Kryetari i Tiranës shkruan se rruga drejt çdo finishi ka sfidat e veta dhe se mbërritja në finish është e rëndësishme, por njëkohësisht nuk duhet të heqësh dorë nga rrugëtimi.
“Rruga drejt çdo finishi ka sfidat e veta.
Ka momente kur rrethanat të thonë të ndalesh, por vullneti të kujton pse u nise.
Mos u dorëzo, beso te forca jote dhe vazhdo përpara! Sepse, siç është e rëndësishme të mbërrish në finish, po aq është edhe të mos heqësh dorë nga rrugëtimi yt”, shkruan Veliaj.
Shkarkimi nga Partia Socialiste
Shkarkimi i Veliajt nga drejtimi i PS Tiranë u bë nga kryesocialisti Edi Rama gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Asamblesë. Rama i ka quajtur të pavërteta dhe të sajuara bisedat e pretenduara të Veliajt me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, në paraburgimin e Fierit. “Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë, madje me pastorin”, ka thënë ai.
Akuzat nga paraburgimi
Nga paraburgimi i Fierit, Veliaj e ka akuzuar kryeministrin se e ka kërcënuar me rëndim të pozitës penale nëse nuk do pranonte se fshihet pas protestave në Tiranë dhe nëse nuk hiqte dorë nga mandati.
Dje, rreth një orë para nisjes së Asamblesë, i pari i Tiranës publikoi fjalimin që do të mbante pasi nuk iu garantua pjesëmarrja në mbledhjen e socialistëve. Në fjalim, ai kërkoi mocion mosbesimi dhe largimin e Ramës nga drejtimi i Partisë Socialiste, si dhe reformimin e saj.
Burimi: shqiptarja.com










