Transporti ajror në Shtetet e Bashkuara po përballet me vështirësi të mëdha. Mijëra fluturime janë anuluar ose kanë pësuar vonesa për shkak të një ndërprerjeje të rëndë në sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Ky është bllokimi më i madh i këtij lloji që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Sipas të dhënave, gjatë së shtunës u anuluan rreth 4,500 fluturime, ndërsa 4,400 të tjera u regjistruan me vonesa. Një ditë më parë, situata ishte edhe më e rëndë: afro 10 mijë fluturime nuk u realizuan dhe mbi 7 mijë të tjera u vonuan.
Drejtori i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, i kërkoi ndjesë pasagjerëve për vështirësitë e krijuara dhe tha se situata është stabilizuar. Ai shprehu optimizëm se pjesa më e madhe e operacioneve do t’i rikthehet normalitetit deri në mbrëmjen e së dielës.
Shkaku i defektit
Problemet filluan të premten, pas një defekti të rëndë në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror. Për këtë arsye, autoritetet u detyruan të pezullonin për rreth pesë orë thuajse të gjitha nisjet e avionëve në të gjithë territorin amerikan.
Në orët e para pas incidentit, Shtëpia e Bardhë zhvilloi një takim urgjent, ndërsa hetuesit shqyrtuan edhe mundësinë e një sulmi kibernetik. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se shkaku i mundshëm lidhet me instalimin e një ruteri të ri nga kompania kontraktore L3Harris në një prej objekteve të largëta të sistemit.
Sipas shpjegimit të tij, problemi teknik shkaktoi mbingarkesë në rrjetin e komunikimit, duke ndikuar në funksionimin e 17 prej 22 qendrave të kontrollit të trafikut ajror në SHBA. Autoritetet po hetojnë nëse defekti erdhi si pasojë e një gabimi gjatë instalimit apo e një pajisjeje me probleme teknike.
Ndikimi te kompanitë dhe udhëtarët
Pasojat u ndjenë drejtpërdrejt nga udhëtarët, mijëra prej të cilëve mbetën të bllokuar në aeroporte. Ndërkohë, kompanitë ajrore po punojnë për të riorganizuar ekuipazhet dhe personelin, në përpjekje për të rikthyer sa më shpejt shërbimin e zakonshëm.
Ndër kompanitë më të prekura ishin Delta, United dhe American Airlines, secila prej të cilave anuloi rreth 20% të fluturimeve të planifikuara për të shtunën. Situata ishte edhe më e vështirë te JetBlue, ku anulimet arritën në rreth 40%.
Thirrja për investime
Duke e cilësuar incidentin si emergjencë, sekretari Duffy i kërkoi Kongresit amerikan të miratojë një fond prej 50 miliardë dollarësh për modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror. Ky sektor përballet prej vitesh me infrastrukturë të amortizuar, defekte të përsëritura teknike dhe mungesë të mijëra kontrollorëve të trafikut ajror.
Burimi: lajmifundit.al










