Vakti i mëngjesit është vakti kryesor dhe më i rëndësishmi për energjinë që organizmi duhet të ketë gjatë gjithë ditës.
Konsumimi i një mëngjesi të shëndetshëm i ofron organizmit energjitë e duhura për të qenë aktiv dhe i gjallëruar.
Sidomos tani që dimri ka hyrë dhe temperaturat po bien çdo ditë e më shumë, një mëngjes i ngrohtë me pak përbërës por me shumë vlera do ta ndihmonte organizmin të qëndrojë në formë gjatë gjithë ditës.
AgroWeb.org sugjeron një mëngjes të lehtë, të shijshëm dhe mbi të gjitha të shëndetshëm.
Me tre përbërës të thjeshtë që çdo kush i ka në kuzhinë, pa humbur kohë fitohet një shije e plotë që kënaq jo vetëm oreksin, por edhe gjithë organizmin.
Çaj Mali, Djathë dhe Bukë e Thekur
Ky mëngjes përgatitet shumë lehtë dhe shpejt, pa marrë shumë kohë.
Mjafton të thekni disa feta buke, sa të preferoni. Mund t’i marinoni me pak kripë, rigon dhe vaj ulliri.
Prisni disa feta djathë për të shoqëruar bukën e thekur. Ndërkohë përgatitni çajin e malit, të cilin, nëse preferoni, mund ta ëmbëlsoni me pak mjaltë.
Vlerat e Çajit të Malit
Ky mëngjes i thjeshtë por i shijshëm është nisja e duhur për një ditë të mbarë dhe të shëndetshme.
Çaji i malit është një pasuri që natyra i ka dhuruar njeriut për ta ndihmuar në mirëqenien e organizmit. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, çaji i malit shqiptar ka efekte të fuqishme në forcimin e imunitetit.
Ai ndikon në një tretje shumë të mirë dhe ndihmon në luftimin e alergjive, astmës, dhimbjeve të kokës dhe sinozitit.
Çaji i malit ka gjithashtu një fuqi të jashtëzakonshme në trajtimin e sëmundjeve të të ftohtit.
Gripi, dhimbjet e fytit, kollën apo dhimbjet e kraharorit trajtohen më së miri përmes çajit të ngrohtë të malit.
Burimi: lajmifundit.al










