Policia e Kosovës ka përgatitur dhe po zbaton një plan operativ me masa sigurie për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit ‘Liga e Kombeve’ ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, që do të zhvillohet sot në ora 15:00 në Prishtinë.
Masat e sigurisë para ndeshjes
Që nga mbërritja e ekipit mysafir në Kosovë, policia ka ndërmarrë aktivitete sigurie, duke përfshirë përcjelljen e ekipit dhe ofrimin e sigurisë sipas itinerarit të lëvizjes dhe qarkullimit të ekipit dhe stafit që qëndrojnë në vend.
Edhe sot, gjatë zhvillimit të ndeshjes, policia do të vazhdojë me këto masa. Gjatë lëvizjes së eskortës mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor, prandaj policia u kërkon qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik mirëkuptim.
Bashkëpunimi me FFK-në
Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e saj në koordinim dhe me mbështetjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për të ofruar siguri para, gjatë dhe deri në përfundim të ndeshjes.
FFK-ja i kërkon shikuesve të paraqiten me kohë në stadium, të mos sjellin me vete gjëra të palejuara apo mjete të rrezikshme, përfshirë elemente me përmbajtje të ndaluar, dhe të kenë me vete biletat dhe dokumentet identifikuese gjatë hyrjes.
Policia thekson se, në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin e çdo incidenti të mundshëm, duke bashkëpunuar me FFK-në dhe kompanitë që ofrojnë sigurinë. Policia i falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin dhe i fton ata që të kontaktojnë policinë në numrin 192 për çdo informacion apo rast.
Burimi: insajderi.org









