Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Sport

Vëllai i Pirro Dhimës, Odiseas Dimas, nën dyshimin për dopingun e sportistëve

Vëllai i Pirro Dhimës, Odiseas Dimas, nën dyshimin për dopingun e sportistëve
Foto: lajmifundit.al

Policia greke ka arrestuar 58-vjeçarin Odiseas Dimas, vëllain e Pirro Dhimës dhe trajner i peshëngritjes, i akuzuar se furnizonte dhe administronte sportistëve substanca dopingu të ndaluara, përfshirë edhe djalin e tij të mitur.

Akuzat dhe rasti i të miturit

Sipas autoriteteve greke, trajneri dyshohet se e ushtronte këtë veprimtari të paktën që nga prilli i vitit 2024, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në sport. Rasti më i rëndë lidhet me djalin e tij të mitur, sportist i peshëngritjes, të cilit dyshohet se i kishte dhënë një substancë të ndaluar gjatë një gare.

Në analizat e urinës së të miturit ishte zbuluar oksandroloni, një substancë e përfshirë në listën e ndaluar të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA). Për këtë rast, trajnerit i ishte dhënë një pezullim 12-vjeçar, ndërsa sportistit një pezullim prej 10 muajsh.

Arrestimi dhe sekuestrimet

58-vjeçari u arrestua mëngjesin e 12 nëntorit, në një zonë të Atikës, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Organizatën Greke Kundër Dopingut dhe Organizatën Kombëtare të Barnave.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 njësi me preparate farmaceutike dhe substanca dopingu, në formë tabletash dhe ampulash, 17 kartela sportistësh, shënime të shkruara me dorë, një telefon celular dhe 15 mijë euro.

Sipas Organizatës Kombëtare të Barnave, preparatet e sekuestruara nuk janë të autorizuara për tregtim në tregun grek dhe konsiderohen të dëmshme për shëndetin e përdoruesve.

Ndaj trajnerit është ngritur dosje për shkelje të ligjit mbi sportin dhe barnat e dëmshme. Ai është dërguar përpara autoriteteve kompetente të drejtësisë.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha