Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Diabeti: 10 mijë raste të reja çdo vit, mjekët apelojnë për diagnozë të hershme

Diabeti: 10 mijë raste të reja çdo vit, mjekët apelojnë për diagnozë të hershme
Foto: abcnews.al

Veproni sa më herët! Me rastet e reja të nivelit të lartë të sheqerit në gjak që po shtohen dhe moshën e të prekurve që po ulet, kjo është motoja e fushatës ndërgjegjësuese për diabetin këtë vit.

Në Shqipëri, mjekët thonë se afro gjysma e atyre që mund të vuajnë nga diabeti nuk e dinë. Rreth 100 mijë persona trajtohen për këtë sëmundje, ndër të cilët mbi 300 janë fëmijë.

Shifra që rriten çdo vit

“Shifra e personave me diabet në Shqipëri e ka kaluar numrin e 100 mijë personave të trajtuar, por nuk duhet të harrojmë se ka gati edhe 50% të tjerë që janë me diabet, por ende nuk e dinë. Çdo vit shtohen nga 8 deri në 10 mijë raste të reja. Sot ka 300–400 fëmijë me diabet”, tha shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Florian Toti.

Trashëgimia, plakja e popullsisë, mënyra e të ushqyerit dhe mungesa e lëvizjes janë arsye të shtimit të rasteve. Në këto kushte, mjekët apelojnë për kryerjen e një analize gjaku, për të mësuar nëse vuani nga diabeti, dhe për ndryshimin e stilit të jetesës, për të shmangur komplikacionet që vijnë prej tij.

Kosto e lartë për shëndetin dhe buxhetin

“Sot personat me diabet kanë një jetëgjatësi thuajse sa personat pa diabet. Prapëseprapë, kemi një kosto shumë të madhe si pasojë e diabetit, qoftë kosto direkte si pasojë e rritjes së medikamenteve që përdoren. Diabeti ka shumë komplikacione të rëndësishme dhe të kushtueshme, siç është nefropatia diabetike që çon në dializë, retinopatia diabetike që çon në verbim dhe këmba diabetike”, u shpreh ai.

Ushqehu shëndetshëm, me sa më shumë perime dhe zarzavate, me orare të caktuara, dhe bëni 30–40 minuta ecje çdo ditë.

Në prag të Ditës Botërore të Diabetit, aktivitete ndërgjegjësuese u zhvilluan edhe në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha