Nga viti 2027 pritet të nisë biletimi elektronik në transportin publik, ndërsa lëvizja e autobusëve synohet të ndiqet në kohë reale përmes Google Maps. Planet u prezantuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë një prej forumeve të Javës Globale të Sipërmarrjes.
Ndjekja e autobusëve në kohë reale
Sipas DPSHTRR-së, aktualisht po mblidhen të dhëna për flukset dhe lëvizjen e autobusëve, në kuadër të udhëzimit për instalimin e pajisjeve GPS. Hapi tjetër është integrimi i sistemit me Google Maps, në mënyrë që edhe turistët të mund të marrin informacion në kohë reale.
“Kemi një udhëzim ministri për instalimin e GPS në autobusët, po mbledhim informacionin e flukseve, lëvizjeve në kohë reale. Shumë shpejt do të bëjmë integrimin e këtij sistemi me Google Maps, që edhe turistët të marrin informacion në kohë reale”, u bë e ditur gjatë forumit.
Biletimi elektronik dhe marrëveshjet
Për biletimin elektronik, DPSHTRR njoftoi se pritet nënshkrimi i marrëveshjes me AKSHI-n dhe ADS-në, për të mundësuar zbatimin e sistemit në transportin publik.
Moduli i sigurisë rrugore në shkolla
Një tjetër nismë e prezantuar gjatë forumit lidhet me shkollat. DPSHTRR ka përgatitur një modul që parashikon një orë mësimi në javë për sigurinë rrugore në arsimin parauniversitar.
Moduli synon t’u mësojë fëmijëve dhe të rinjve rregullat e qarkullimit, mënyrat për të dalluar dhe shmangur rreziqet në trafik, si dhe sjelljen e përgjegjshme në rrugë.
Burimi: lajmifundit.al










