TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Kreshnik Bajraktari, prezantoi disa nga novitetet në procesin e transformimit digjital të shërbimeve të transportit rrugor.
Shërbimet digjitale në përdorim
Bajraktari tha se ndër shërbimet që kanë gjetur përdorim të konsiderueshëm është asistenti virtual, i cili ka regjistruar rreth 60 mijë përdorues, duke mundësuar akses më të shpejtë në informacion dhe procedura.
“Llogaritësit e tarifave për targat kanë regjistruar mbi 19 mijë vizitorë për targat e personalizuara dhe më shumë se 1 300 vizitorë për targat jashtë radhe. Një tjetër novitet është njoftimi me SMS për qytetarët që aplikojnë për leje drejtimi. Përmes këtij shërbimi, aplikantët informohen automatikisht kur dokumenti është gati, duke shmangur paraqitjet në sportel vetëm për të marrë informacion. Në Tiranë, leja gjenerohet brenda 30 minutash, ndërsa në qytetet e tjera brenda një dite”, tha ai.
Pagesat dhe kontrollet
Në kuadër të lehtësimit të pagesave, Bajraktari nënvizoi se DPSHTRR ka mundësuar përdorimin e pajisjeve POS në sportele, si alternativë ndaj pagesave me para në dorë, si për qytetarët, ashtu edhe për subjektet.
Ndërkohë, moduli i gjobave të Task Forcës ka regjistruar 2 561 gjoba në sistem, nga të cilat 1 334 janë arkëtuar.
“Për rritjen e sigurisë gjatë kontrolleve fizike të mjeteve është prezantuar edhe sistemi i gjeolokalizimit të fotografive, përmes teknologjisë MDM, që mundëson dokumentimin fotografik të sigurt dhe gjurmueshmërinë e kontrolleve”, vazhdoi ai.
Cilësia e shërbimit dhe komunikimi
Për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, qytetarët mund të japin vlerësime përmes kodeve QR. Deri tani janë regjistruar 1 159 vlerësime. Po ashtu, numri i gjelbër dhe sistemi PBX kanë mundësuar regjistrimin e 1 373 telefonatave, duke lehtësuar komunikimin pa pagesë dhe orientimin e kërkesave të qytetarëve”, tha Bajraktari.
Një tjetër shërbim është rezervimi online përmes platformës QSMART, ku janë kryer 3 410 rezervime, me konfirmim elektronik për akses më të lehtë në sportele.
Shërbimet e reja
Bajraktari njoftoi edhe prezantimin e aplikacionit të ri “Mjeti im”. Aplikacioni do të mundësojë një mënyrë të re ndërveprimi me institucionin, duke u dhënë qytetarëve akses më praktik në informacion dhe shërbime përmes telefonit.
Një tjetër novitet është moduli “Autoshkolla Online”, i cili synon digjitalizimin e administrimit të autoshkollave. Për qytetarët dhe kandidatët për drejtues mjetesh, ky modul parashikon thjeshtimin e procedurave, reduktimin e paraqitjeve fizike dhe rritjen e transparencës, ndërsa për DPSHTRR-në do të përmirësojë monitorimin dhe gjurmueshmërinë e veprimtarisë së autoshkollave.
“Në listën e shërbimeve të reja përfshihet edhe digjitalizimi i procesit për Certifikatën e Aftësisë Psiko-Fizike dhe Raportin e Aftësisë për Punë. Përmes këtij sistemi synohet paraqitja dhe verifikimi elektronik i dokumenteve, shkëmbimi i të dhënave ndërmjet institucioneve dhe eliminimi i dokumentacionit fizik dhe procedurave manual”, tha Bajraktari.
/e.i/j.p/
Burimi: ata.gov.al










