Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Ndërkombëtarët sjellin PS dhe PD në tryezë për reformën zgjedhore

Ndërkombëtarët sjellin PS dhe PD në tryezë për reformën zgjedhore
Foto: shqiptarja.com

Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord të rinisin punën për Reformën Zgjedhore. Në mbledhjen e radhës, PS dhe PD miratuan të tria pikat e rendit të ditës, ndërsa u pajtuan për përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në proces. Komisioni ka afat deri më 30 nëntor për të përmbyllur punën.

Takimet me ndërkombëtarët dhanë efekt

Takimet e ambasadores së BE-së, De Sousa, dhe të kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Tarran, me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore dhanë efekt. Mazhoranca dhe opozita nisën realisht punën në komision, afati i të cilit përfundon vetëm pas dy javësh, më 30 nëntor. Gjiknuri dhe Bylykbashi janë dakord të vazhdojnë punën, me shpresën se do të arrihet një produkt i përbashkët.

Bylykbashi: T’u kërkojmë ekspertëve të ODIHR-it të vijnë dhe të jenë të pranishëm në punën e ekspertëve të komisionit, që të punojnë së bashku dhe të nxjerrin një produkt.

Gjiknuri: Jam dakord që draftet të vijnë sa më shpejt, që të fillojë puna, të kërkojmë ndihmën e ekspertëve të ODIHR-it.

Marrëveshja mbi rendin e ditës dhe draftet

Ndryshe nga java e kaluar, kur debatet u fokusuan te rendi i ditës, këtë herë PS-ja dhe PD-ja i miratuan të tria pikat. Palët ranë dakord që, pasi PD-ja të depozitojë zyrtarisht draftin ligjor për ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ekspertët e të dyja partive të nisin punën.

Ligji për financimin e partive politike, me dakordësinë e dy bashkëkryetarëve, do t’i dërgohet Komisionit të Venecias përmes Kuvendit për një opinion përfundimtar.

Puna, sipas dakordësisë së dy bashkëkryetarëve, pritet të nisë edhe për ndryshimet që imponohen nga ndryshimi i hartës territoriale, tanimë me 46 bashki. PS-ja dhe PD-ja duhet të merren vesh për formulën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë, ndonëse në propozimin fillestar opozita ka kërkuar lista 100% të hapura edhe për parlamentet vendore.

Nëse komisioni nuk arrin të dakordësojë një produkt brenda afatit të përcaktuar, mazhoranca do ta çojë vetëm në Kuvend, ashtu si ndodhi me hartën territoriale.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha