Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar, përmes një dokumenti të publikuar në faqen e tyre zyrtare, se i kanë lejuar një familjari të një viktime të vazhdojë pjesëmarrjen në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Vendimi u mor më 6 nëntor 2026 nga Paneli Gjyqësor II, pas një kërkese të avokatit të viktimave, Simon Laws. Ai kishte njoftuar Gjykatën se një person i pranuar si viktimë pjesëmarrëse në këtë proces kishte vdekur. Viktima, e identifikuar në dokumentet gjyqësore me kodin V260/06, ishte pranuar si pjesëmarrëse në proces më 15 shkurt 2023. Pas vdekjes së tij, më 2 tetor 2026, avokati kërkoi që një familjar i tij të lejohet të vazhdojë pjesëmarrjen në procedurë.

Dokumentet e dorëzuara
Për ta mbështetur kërkesën, avokati dorëzoi në Gjykatë certifikatën e vdekjes së viktimës dhe dokumentacionin që vërtetonte lidhjen familjare me personin që kërkonte të vazhdonte pjesëmarrjen. Paneli Gjyqësor konstatoi se kushtet për aprovimin e kërkesës ishin plotësuar, pra vdekja e viktimës ishte dëshmuar dhe lidhja e afërt familjare me personin që do të vazhdojë pjesëmarrjen ishte e qartë.
Arsyetimi i Gjykatës
Në arsyetimin e vendimit, Gjykata theksoi se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Rregullorja e Procedurës dhe Provave nuk e rregullojnë shprehimisht vazhdimin e pjesëmarrjes së viktimave pas vdekjes së tyre. Sipas Gjykatës, të drejtat pjesëmarrëse mund të shtrihen edhe te trashëgimtarët, sepse kjo është e nevojshme për të garantuar efektivitetin e së drejtës së viktimave për njohjen e dëmit që kanë pësuar.
Masat mbrojtëse
Gjykata vendosi gjithashtu që familjari të përfitojë masa mbrojtëse. Identiteti dhe të dhënat e tij personale nuk do t’u zbulohen palëve në proces dhe publikut. Për këtë qëllim, familjari do të identifikohet me pseudonimin V260A/06 në dokumentet dhe procedurat gjyqësore.
Në dispozitivin e vendimit, Paneli Gjyqësor II aprovoi kërkesën e avokatit të viktimave, lejoi vazhdimin e pjesëmarrjes në emër të viktimës së ndjerë dhe urdhëroi ruajtjen e anonimitetit të familjarit.
Burimi: lajmifundit.al










