Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Bylykbashi kërkon rikthimin e koalicioneve dhe listat 100% të hapura

Bylykbashi kërkon rikthimin e koalicioneve dhe listat 100% të hapura
Foto: ata.gov.al

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Bashkëkryetari i Partisë Demokratike në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, prezantoi sot propozimet e opozitës për reformën zgjedhore, duke kërkuar rikthimin e koalicioneve me lista të përbëra dhe hapjen 100% të listave.

Marrëveshja e 5 qershorit 2020

Bylykbashi theksoi se PD kërkon respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit 2020, e cila sipas tij u mbështet në atë kohë nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Evropian.

Ai u ndal veçanërisht te rikthimi i koalicioneve me lista të përbëra, duke i cilësuar ato si një nga mekanizmat kryesorë të sistemit zgjedhor që ka mundësuar rotacionin politik në vend. Sipas tij, ky mekanizëm ka funksionuar në zgjedhjet e viteve 2003, 2005, 2009 dhe deri në vitin 2013, duke mundësuar rotacionin politik mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

“Ne kemi kërkuar që të rikthehen koalicionet me listë të përbërë. Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes 5 qershorit që e mbështetën Departamenti i Shtetit dhe Komisioni Evropian në atë kohë. Është firmosur atje. Por kemi rënë dakord që të mbahet, që të gjitha që diskutojmë sot dhe element kryesor aty ishte ruajtja e një nga mekanizmat kryesorë të sistemit zgjedhor që ka provuar që prodhon rotacion. Koalicioni me listë të përbërë. Koalicioni që i jep çdo partie mundësinë të garojë me emrin e vet, siglën e vet, kutinë e vet, të marri votat e veta, të mos marrë as votat e të tjerëve, as t’ia vjedhin të tjerët votat e saj. Parti e madhe apo e vogël brenda këtij koalicioni. Është liria e partive për të zgjedhur me kë do të bëjnë aleancë. Por jo t’ia bësh të pamundur aleancën. Listë e hapur e partive. Zgjedhësi voton partinë që do. Nuk s’ka pse duhet të shqetësohet kryeministri se me kë bëhen partitë”, tha ai.

Sistemi proporcional dhe listat e hapura

Një tjetër kërkesë e opozitës është kalimi drejt një sistemi proporcional kombëtar me lista 100% të hapura për zgjedhjet parlamentare. Bylykbashi tha se zgjedhësit duhet të kenë mundësi të bëjnë disa zgjedhje për përfaqësuesit e tyre, ndërsa pragu zgjedhor nuk duhet të pengojë partitë të garojnë dhe të përfaqësohen në Kuvend.

PD kërkon gjithashtu hapjen 100% të listave për këshilltarët bashkiakë, të cilat aktualisht janë të mbyllura.

“Së dyti, sistemi proporcional kombëtar me listë 100% hapur për zgjedhjet parlamentare, ku zgjedhësi do të ketë disa zgjedhje, jo 1, dhe me prag zgjedhor që duhet rënë dakord që të mos jetë i tillë që pengon partitë që të hyjnë dhe lirisht vetëm në zgjedhje. Kemi kërkuar hapjen 100% të listave për Këshilltarët Bashkiakë, sot janë 100% të mbyllura që nga viti 2000 kur ka miratuar Partia Socialiste Kodi Zgjedhor”, tha ai.

Depolitizimi i administratës zgjedhore

Sa i përket depolitizimit të administratës zgjedhore, Bylykbashi tha se nuk mund të pranojnë kalimin nga një administratë zgjedhore politike në atë “patronazhiste”.

Ndarja e shtetit nga partia

Bylykbashi u ndal edhe tek ndarja e shtetit nga partia.

“Koncepti bazë është partia konkurron me burimet e veta, shteti qeveris me burimet e shtetit. Shteti funksionon në mënyrë neutrale, nuk funksionon në favor të partisë në pushtet”, deklaroi ai.

Sipas Bylykbashit, ndarja e shtetit nga partia duhet të jetë një parim i përhershëm i qeverisjes dhe jo vetëm një standard që zbatohet gjatë fushatave elektorale.

Ai tha se paketa që propozon PD përfshin të qarta për përdorimin elektoral të pushtetit, duke nisur nga vendimmarrja dhe financimi, te administrata publike, aktivitetet zyrtare dhe propaganda shtetërore.

“Së pari, ndarja e shtetit nga partia nuk është parim vetëm për zgjedhjet, është parim mirëqeverisje çdo ditë viti. Në periudhë zgjedhore, por aq më shumë në periudhë jo zgjedhore. Shteti nuk i shërben partisë në pushtet për të mbajtur në kontroll zgjedhësin, shteti i shërben të mirës publike. Ajo që votohet nuk është një program kontrolli të zgjedhësit, por një program qeverisës për ta bërë më mirë në përputhje me Kushtetutën, me ligjin dhe me interesin publik. Ndalimet e kësaj pakete duhet patjetër të përfshijnë zinxhirin e përdorimit të pushtetit, nga vendimmarrja, financimi, administrata, aktiviteti publik, propaganda shtetërore, përfitimi elektoral”, tha ai.

Sanksionet dhe KQZ

Bylykbashi tha se duhen sanksione të forta dhe mekanizma që mundësojnë ndalimin e menjëhershëm të shkeljeve përpara zgjedhjeve, si dhe një rikonceptim të përbërjes dhe funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Sigurisht që nëse ne këtë e lëmë që pas zgjedhjeve të ketë ndonjë gjë 30.000 lekë, siç është një e vetme për zgjedhjet që shkojnë, që është një turp që provon se si ka rënë sistemi i përfshirë, mënyra e funksionimit të KQZ-së, e cila meriton rikonceptim në mënyrën e përbërjes dhe të funksionimit, një gjobë të vetme 30.000 lekë vjetra. Ndalimet duhet të jenë të menjëhershme. Përpara zgjedhjeve duhet që jo vetëm të kërkohet ndalimi, por edhe të ekzekutohet. Kështu që në ndalimet e qarta, personat përgjegjës që duhet të zbatojnë ligjin vetë, sanksionet e rënda dhe organ kompetent me kompetencë për të ndaluar dhe për të sanksionuar. Kjo nuk bëhet me copëza legjislacioni, kjo bëhet me një kornizë plotë për ta zgjidhur këtë çështje”, tha ai.

/m.q/j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha