Kërkesa për përshpejtimin e reformës zgjedhore
TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, kërkoi sot përshpejtimin e punës për përmbylljen e reformës zgjedhore, duke theksuar se koha në dispozicion është e kufizuar dhe se komisionit i kanë mbetur më pak se dy javë nga përfundimi i mandatit.
Tri çështjet kryesore të dakordësuara me opozitën
Gjatë diskutimit për rendin e ditës të mbledhjes së sotme, Gjiknuri prezantoi tri çështje kryesore për të cilat tha se janë dakordësuar me opozitën, ku duhet të përqendrohet puna e ekspertëve dhe e komisionit parlamentar.
“Ky është një rend dite i dakordësuar, pra që të fillohet puna menjëherë pasi të vijnë propozimet e Partisë Demokratike në formë draftesh ligjore për paketën që ata kanë manifestuar dhe e kanë shpallur publikisht. Marrja e vendimit nga Komisioni i Posaçëm në mënyrë të menjëhershme, për të çuar projektligjin për financimin e partive politike, dhe ta çojmë edhe një herë për një opinion të dytë në Komisionin e Venecias, si dhe vazhdimi për çështjet e tjera, për rekomandimet e paadresuara, siç është ndarja, ose të themi depolitizimi i administratës zgjedhore, që është një nga rekomandimet kryesore të paadresuara ndër vite”, tha ai.
Projektligji për financimin e partive politike
Në fjalën e tij, Gjiknuri theksoi se projektligji për financimin e partive politike është drejt përfundimit dhe në të janë reflektuar mendimet e palëve, si dhe opinioni i mëparshëm i Komisionit të Venecias, por nevojitet një vlerësim dhe përmirësim përfundimtar.
“Kemi një projekt gati të përfunduar për ligjin e financimit të partive politike, ku janë reflektuar të gjitha inputet dhe është marrë edhe opinioni i Komisionit të Venecias. Ka nevojë për një feedback dhe një përmirësim të fundit, gjë që mund të realizohet në ditët e mbetura. Fatkeqësisht ky proces është bllokuar, dhe ky ligj nuk është thjesht dëshira jonë. Ne jemi dakord së bashku që ta trajtojmë në mënyrë konsensuale, megjithëse ligji mjafton edhe me një shumicë të thjeshtë për ta miratuar. Është kërkesë e BE-së. Shpresoj dhe do të propozoja që të paktën në ditët e mbetura, duke filluar pse jo që sot, të jepet një feedback nga ana e ekspertëve të të gjitha palëve, me qëllim që të kemi një draft, ta mundësojmë, ta çojmë për opinion, pa e miratuar ende në parlament, dhe ta çojmë për opinion të dytë në Komisionin e Venecias, meqenëse ata e presin. Kështu që shpresoj të kemi mirëkuptim nga opozita. Koha është shumë e shkurtër; fatkeqësisht ka ngelur më pak se dy javë deri në skadimin e afatit të komisionit”, tha ai.
Masat e qeverisë nëse reforma nuk përfundon
Gjiknuri theksoi se, në rast se reforma nuk përmbyllet në kuadër të komisionit, qeveria do të ndërmarrë masa për të plotësuar standardet e OSBE/ODIHR-it, përmes akteve të Këshillit të Ministrave, ndërsa theksoi se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të nxjerrë udhëzimet përkatëse në zbatim të ligjit.
“Në të kundërt, do të jemi në një situatë shqetësuese ku ky komision nuk do ta përmbushë misionin e tij, objektin e punës që kishte për përgatitjen e një drafti të plotë. Qeveria nuk do të rrijë duarkryq. Ne do të bëjmë çmos që t’i plotësojmë standardet e OSBE/ODIHR-it për sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, edhe me akte të nivelit qeveritar, pra vendime të Këshillit të Ministrave. Po qoftë edhe KQZ, në zbatim të ligjit, mund të nxjerrë udhëzimet e nevojshme, të cilat do të rregullojnë më mirë këtë proces për sa i përket transparencës më të madhe, llogaridhënies dhe ndarjes së shtetit nga partia apo keqpërdorimit të burimeve shtetërore”, tha ai.
/m.q/j.p/
Burimi: ata.gov.al










