Rasti i Ardi Saitit, një i ri nga Kumanova, ka rihapur debatin mbi mënyrën se si organet e drejtësisë në vend trajtojnë simbolet kombëtare.
Gjykata Themelore në Kumanovë e ka dënuar atë me 3 muaj burgim me kusht. Dënimi lidhet me ngjarjen e 28 nëntorit 2025, Ditën e Flamurit Shqiptar, kur ai ishte pjesë e një kolone automjetesh ku shfaqej flamuri kombëtar.
Ngjarja dhe akuzat
Sipas aktgjykimit të datës 9 tetor 2026, ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 në rrugën “Treta MUB” në Kumanovë. Në atë kohë Saiti ishte ende nxënës i shkollës së mesme, ndërsa sot është student i vitit të parë.
Ai udhëtonte si pasagjer në një automjet të markës “Ford”. Nga dritarja e mjetit ishte nxjerrë një flamur me përmasa rreth 150×80 cm, i cilësuar si Shqipëria e Madhe, si dhe një flamur i UÇK-së me përmasa të ngjashme.
Prokuroria dhe gjykata e kanë vlerësuar këtë veprim si “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, fetar dhe tjetër diskriminues”, vepër e parashikuar në nenin 319, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Reagimet dhe mesazhi i të riut
Sipas aktgjykimit, i riu e ka pranuar fajësinë. Megjithatë, dënimi me burgim me kusht për ekspozimin e flamurit kombëtar gjatë ditës zyrtare të festës ka shkaktuar reagime dhe ka ngritur pikëpyetje për lirinë e shprehjes dhe përdorimin e simboleve kombëtare.
Pas publikimit të vendimit, vetë Ardi Saiti u është drejtuar bashkatdhetarëve me një mesazh sensibilizues:
“Të dashur shqiptarë, mos dilni më me flamuj se përndryshe përfundoni në burg me kusht.”
Ngjarja nxjerr sërish në pah vështirësitë me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kur shprehin identitetin kombëtar dhe përkujtojnë ngjarje historike.
Burimi: www.albeu.com










