Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kosova

Protesta sfidon politikën tradicionale para zgjedhjeve lokale

Protesta sfidon politikën tradicionale para zgjedhjeve lokale
Foto: reporter.al

Dy kampet e politikës tradicionale shqiptare po ndezin motorët e fushatës për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 këtë fundjavë, por nga stadiumi Air Albania, një grup i tretë shpërtheu në thirrje gjatë ndeshjes Shqipëri-Finlandë mbrëmjen e 12 nëntorit.

Tifozët e kombëtares shqiptare e mbushën atmosferën e fitores me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama ik”. Një banderolë e madhe, me një sy të gjakosur të vizatuar mbi të, u shfaq mbi shkallët e stadiumit si dedikim për Erjon Vishkulin, 28 vjeçarin e goditur me plumb gome në sy gjatë protestave të vjeshtës në Tiranë.

Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për fundin e politikës së vjetër dëgjohen çdo natë në Tiranë që nga fundi i majit, kur protesta kundër ndërtimit të një projekti turistik në Zvërnec u shndërrua shpejt në një revoltë kundër qeverisë dhe estabilishmentit politik që dominoi tre dekadat e tranzicionit shqiptar.

Në prag të zgjedhjeve vendore, të parat që mbahen që nga nisja e protestave, presioni i pakënaqësisë qytetare po ndikon në sjelljet dhe strategjitë e partive politike. Mazhoranca kërkon të minimizojë efektet e kësaj pakënaqësie në ruajtjen e pushtetit, ndërsa opozita është në sprovë për ta tërhequr këtë energji drejt vetes.

Për analistët e politikës në vend, protesta është tashmë një faktor që ushtron presion jo vetëm mbi qeverinë, por edhe mbi opozitën tradicionale. Megjithatë, shfaqja e një përfaqësimi të ri politik që rezonon me energjinë e protestës mbetet ende një sfidë.

“Protesta po ndikon në klimën politike, por pyetja kryesore është nëse do të ndikojë edhe në konfigurimin e forcave politike për zgjedhjet vendore,” tha për BIRN gazetari Lutfi Dervishi.

Sipas Dervishit, tri çështje mbeten ende të hapura: a do të lindë nga protesta një forcë e re politike; a do të rishikohet strategjia që e kushtëzon gjithçka me dorëheqjen e kryeministrit; dhe a do të kthehet beteja për Tiranën në një garë për administrimin e kryeqytetit, apo në një referendum politik për qeverisjen 13-vjeçare të Edi Ramës?

Duke e konsideruar Tiranën si një bashki me peshë politike që shkon përtej kufijve të saj, Dervishi argumenton se “pikërisht këtu do të shihet nëse pakënaqësia qytetare do të prodhojë oferta të reja, kandidatura të reja dhe aleanca të reja, apo thjesht do të riciklojë përplasjen tradicionale mes mazhorancës dhe opozitës”.

Edhe për gazetarin Blendi Salaj, protesta nuk ndikon vetëm në zgjedhjet e ardhshme vendore, por edhe në të ardhmen e vendit në përgjithësi.

“Pavarësisht luhatjeve në numër, protesta përfaqëson një pakënaqësi të gjerë dhe të qartë qytetare ndaj aparatit politik që është instaluar gjatë dekadave të fundit në Shqipëri,” tha Salaj.

“Si rrjedhojë, shfaqja e parë e këtij ndryshimi do të shpaloset në zgjedhjet vendore të pranverës, dhe sidomos në Tiranë,” theksoi ai.

Sprova e Tiranës

Gara për Bashkinë e Tiranës pritet të jetë një nga përballjet më të rëndësishme të zgjedhjeve të ardhshme vendore, por deri tani mbetet e paqartë kush do të jenë kandidatët që do të përfaqësojnë mazhorancën dhe opozitën.

Partia Demokratike ka hapur një proces për përzgjedhjen e kandidatëve, duke ftuar të konkurrojnë edhe figura jashtë strukturave të saj, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe lëvizjeve qytetare.

Analisti Andri Nurellari e sheh këtë hap të PD-së si reagim të drejtpërdrejtë ndaj protestave, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë në pah një krizë përfaqësimi që prek jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën tradicionale, e që në sheshe është përmbledhur me thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

“Protestat kanë thyer monopolin që PD-ja pretendonte mbi përfaqësimin e pakënaqësisë kundër qeverisë,” tha Nurellari për BIRN, duke shtuar se “nëse qytetarët do ta shihnin PD-në si alternativën e tyre të besueshme, do të mobilizoheshin përmes saj dhe jo në mënyrë të pavarur”.

Sipas Nurellarit, kjo është një mundësi e madhe për opozitën tradicionale, por kërkon ndryshime reale.

“Nuk mjafton të përvetësosh figurat e protestës apo të ndryshosh emrat e kandidatëve. Duhet të ndryshojë mënyra e përzgjedhjes, marrëdhënia me qytetarët dhe vetë oferta politike,” tha ai.

Një kandidat i dalë jashtë strukturave partiake, mundësisht nga lëvizja qytetare, është një nga skenarët që Nurellari e konsideron të mundshëm për Tiranën. Ai argumenton se kryeqyteti ka karakteristika të veçanta elektorale, për shkak të përqendrimit të profesionistëve, shtresës së mesme, shoqërisë civile dhe aktivistëve, çka krijon pritshmëri më të larta për profilin dhe integritetin e kandidatëve.

“Dilema mbetet: a synohet një kandidat i përbashkët i opozitës kundër mazhorancës, apo një alternativë qytetare e dallueshme nga të dyja partitë e mëdha? Këto janë dy strategji të ndryshme,” thekson ai.

Edhe për mazhorancën mbetet e paqartë profili i kandidatit që do të përfaqësojë socialistët në kryeqytet. Kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra penale, dhe është në konflikt të hapur politik me kryeministrin Edi Ramën.

Për Blendi Salajn, gara e Tiranës është një sprovë e fortë për Partinë Socialiste, për të cilën, sipas tij, përzgjedhja e një kandidati të pranueshëm nga qytetarët është bërë e komplikuar.

“Një kandidat i PS-së i afërt me qeverinë mund të refuzohet ditën e zgjedhjeve edhe si pasojë e ngjarjeve që nga nisja e protestave,” analizon Salaj.

Një organizim i spektrit opozitar për gjetjen e emrave të përbashkët, sipas tij, do të sillte një efekt domino nga Tirana në bashki të tjera të mëdha, si Durrësi apo Shkodra, duke rezonuar kështu edhe me frymën e protestës.

“Nëse partitë opozitare do ta gjejnë urtësinë dhe do të arrijnë të zbusin egot duke u bashkuar rreth një kandidati apo kandidateje jashtë partisë, që përfaqëson lëvizjen qytetare dhe integritetin shoqëror që tregoi protesta, një humbje e PS-së në Tiranë është plotësisht e mundshme, bashkë me pasojat e një ngjarjeje si kjo,” përfundoi Salaj.

Burimi: www.reporter.al

Të fundit Të gjitha