Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Pesë vende të BE-së negociojnë me Ruandën për qendrat e deportimit

Pesë vende të BE-së negociojnë me Ruandën për qendrat e deportimit
Foto: ata.gov.al

VJENË, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Gjermania, Austria, Danimarka, Greqia dhe Holanda kanë nisur bisedimet me Ruandën për krijimin e një qendre të përbashkët deportimi për emigrantët, njoftoi sot kancelari austriak Christian Stocker.

Synimi është që dërgimi i azilkërkuesve të refuzuar në vendin afrikan të nisë që në vitin 2027.

Si do të funksionojë projekti

Projekti parashikon krijimin e të ashtuquajturave qendra kthimi, ku do të dërgohen personat të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil dhe që kanë marrë urdhër për t’u larguar nga territori evropian, por nuk mund të kthehen në vendet e origjinës.

Kjo mund të ndodhë, për shembull, kur vendet e tyre nuk pranojnë t’i rikthejnë.

Kancelari austriak Stocker e cilësoi këtë nismë si një ndryshim historik në politikën evropiane të migracionit, duke argumentuar se vendet e BE-së duhet të kenë më shumë kontroll mbi menaxhimin e emigracionit. Në konferencën për shtyp mori pjesë edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, ka sqaruar se masat do të prekin vetëm personat të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil dhe jo ata që janë ende në pritje të një vendimi.

Përvoja e Britanisë me Ruandën

Nisma rikthen në vëmendje marrëveshjen e mëparshme mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës, e cila hyri në fuqi në prill 2024, por përfundoi pa rezultat. Londra shpenzoi rreth 700 milionë paund për projektin, ndërsa vetëm katër emigrantë u dërguan vullnetarisht në Ruandë. Marrëveshja u shpall e paligjshme nga Gjykata e Lartë britanike.

Sipas marrëveshjes, Britania donte të deportonte migrantët që kishin hyrë në vend në mënyrë të parregullt në Ruandë, ku ata do të ishin në gjendje të aplikonin për azil. Në këmbim, Ruanda do të merrte shuma që arrinin në miliona për integrimin ekonomik dhe social të migrantëve.

Kufizimet ligjore në BE

Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore ka paralajmëruar se çdo marrëveshje deportimi me një vend të tretë duhet të garantojë respektimin e të drejtave themelore të personave të prekur dhe të sigurojë që ata të mos dërgohen më pas në vende ku mund të përballen me rrezik.

Bashkimi Evropian nuk kishte deri tani një kornizë ligjore të qartë për marrëveshjet me vendet e treta mbi qendrat e deportimit. Përpjekje të ngjashme nga Italia rezultuan të kushtueshme dhe ligjërisht të ndërlikuara. Italia kishte arritur një marrëveshje me Shqipërinë për të dhënë me qira procedurat e azilit për grupe të caktuara atje, por modeli përfundoi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Sipas një avokati të përgjithshëm të GJED-së, Italia mund të ngrejë qendra paraburgimi në Shqipëri për qëllime deportimi, me kusht që të respektohen të drejtat e migrantëve. Mendimi i tij nuk është detyrues, por gjykata mund të udhëhiqet prej tij në vendimin e saj të ardhshëm.

Nisma shënon një përpjekje të re të disa vendeve evropiane për ta zhvendosur një pjesë të politikës së kthimit të emigrantëve jashtë kufijve të BE-së, por mbetet e hapur çështja e zbatimit dhe e garancive ligjore.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha