TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Platforma “Fol me Kryeministrin” ka regjistruar 1602 dialogë të qytetarëve me institucionet në 10 ditët e para nga nisja e saj, ndërsa 874 prej tyre kanë marrë të paktën një përgjigje.
Ndjekja e punës së ekipit
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ndoqi sot nga afër punën e ekipit të angazhuar për administrimin e platformës, njohjen me propozimet dhe idetë e qytetarëve, si dhe trajtimin e kërkesave dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse.
Sipas Ismailit, interesi për platformën vijon të rritet, me 616 dialogë të rinj të regjistruar vetëm gjatë ditëve të fundit. Ndërkohë, puna vijon për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesave të tjera të paraqitura nga qytetarët.
Platforma si hapësirë për ide dhe propozime
Ismaili tha se “përtej adresimit të ankesave dhe problematikave individuale, platforma synon të shërbejë edhe si një hapësirë për ndarjen e ideve dhe propozimeve, të cilat mund të merren në konsideratë për t’u kthyer në nisma apo politika konkrete në sektorë të ndryshëm”.
“Fol me Kryeministrin” synon të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe institucioneve, duke nxitur pjesëmarrjen qytetare dhe duke vënë në vëmendjen e Kryeministrit propozimet dhe shqetësimet e tyre.
/e.i/r.e/
Burimi: ata.gov.al










