Sipas ekspertimit të SPAK-ut, ndërtimi i Tunelit të Llogarasë i shkaktoi shtetit rreth 80 milionë euro dëm ekonomik. Fondi limit i tenderit u përllogarit me çmime të fryra, ndërsa gjatë zbatimit të kontratës u miratua një preventiv i rishikuar me volume punimesh dhe çmime të fryra.
Rreth 21 milionë euro lidhen me çmimet e fryra në preventivin fillestar, mbi të cilin u caktua fondi limit i tenderit. Rreth 59 milionë euro të tjera lidhen me preventivin e rishikuar gjatë punimeve, ku sipas prokurorisë u miratuan volume dhe çmime të fryra pa shqyrtimin teknik dhe verifikimet e nevojshme.
Roli i ministres në procedurën e tenderit
Sipas SPAK-ut, Belinda Balluku, në atë kohë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e ndoqi dhe e orientoi tenderin nga përgatitja e kritereve deri te lidhja e kontratës, edhe pse ia kishte deleguar formalisht kompetencat sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.
Prokuroria thotë se ndërhyrjet synonin paracaktimin e fituesit dhe se komisioni shpalli fitues bashkimin e kompanive Intekar Yapi dhe Asl Insaat, megjithëse ato nuk plotësonin kriteret e tenderit.
Njoftimi i SPAK për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë):
Fondi limit – 18 967 810 952.08 lekë pa TVSH (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë).
Sipas hetimeve, e pandehura Belinda Balluku, në detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, megjithëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë procedurën e prokurimit. Kjo përfshin fazën përgatitore, zhvillimin e procedurës, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, deri në lidhjen e kontratës. Qëllimi i këtyre veprimeve ka qenë paracaktimi dhe favorizimi i operatorit ekonomik fitues, bashkimi i operatorëve “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”.
Për ta realizuar këtë qëllim, e pandehura ka mbajtur kontakte të rregullta me të pandehurin Evis Berberi, fillimisht këshilltar i ministres dhe më pas drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, lidhur me përcaktimin e kritereve të vendosura në dokumentacionin standard të tenderit. Ajo ka mbajtur kontakte të rregullta edhe me përfaqësues të shoqërisë fituese, gjatë kohës kur kjo e fundit përgatiste dokumentacionin e pjesëmarrjes. Kontaktet me Berberin kanë vijuar edhe gjatë fazës së dorëzimit, vlerësimit të ofertave dhe vendimmarrjes së Komisionit të Vlerësimit, deri në lidhjen e kontratës.
Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “Intekar Yapi” dhe “Asl Insaat”, pa plotësuar kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit.
Përllogaritja e fondit limit
Në lidhje me përcaktimin e fondit limit, e pandehura Viola Haxhiademi, në bashkëpunim me të pandehurin Ergys Verdho dhe të pandehurin Genti Raça, si persona përgjegjës për shkak të funksionit të tyre, miratuan preventivin në kundërshtim me ligjin, me çmime të fryra, në kundërshtim me manualet teknike të miratuara me VKM nr. 629, datë 15.7.2015 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, i ndryshuar.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga akti i ekspertimit teknik-ndërtimi të kryer gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 2 006 535 459.99 lekësh (dy miliardë e gjashtë milionë e pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë pikë nëntëdhjetë e nëntë) lekë.
Miratimi i preventivit të rishikuar
Në lidhje me procedurën për miratimin e projektpreventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, kanë rezultuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor: Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, institucion në varësi të saj.
Sipas prokurorisë, e pandehura Viola Haxhiademi, në bashkëpunim me të pandehurit Gentian Gjylin, Genti Raçën, Adja Strazimirin, Anila Sulollarin dhe Adrian Kroin, kanë miratuar në kundërshtim me ligjin preventivin e rishikuar. Miratimi është bërë me volume dhe çmime të fryra, pa iu nënshtruar shqyrtimit teknik të sektorëve përkatës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pa verifikimet e duhura për të argumentuar volumet dhe çmimet, dhe pa një analizë teknike për këtë preventiv.
Nga provat e administruara, përfshirë aktin e ekspertimit teknik-ndërtimi, ka rezultuar se preventivi i rishikuar është miratuar në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 5 477 232 724.67 lekësh (pesë miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e njëzet e katër pikë gjashtëdhjetë e shtatë) lekë.
Burimi: shqiptarja.com










