Gazetarja Klodiana Lala dha më shumë detaje nga takimi i sotëm me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe me dy prokurorët e çështjes Balluku, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Dosja për Ballukun kaloi në gjykim
Teksa dosja ka kaluar për gjykim, Braho u shpreh se vetëm nga tenderimi për Tunelin e Llogarasë dëmi në buxhetin e shtetit është 5.4 mld lekë.
Sa i përket përvetësimit të pasurisë nga dy vilat në jug, të regjistruara në emër të Tares, shifra arrin në 1.8 mln euro.
Detajet e takimit
Lala: Kemi patur një takim me zotin Braho. Ishin të pranishëm dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Fillimisht ishte zoti Braho që foli për arsyet pse kishte thirrur gazetarët. Fokusi ishte te dosja e Ballukut. Braho pohoi se hetimet kishin mbaruar dhe dosja ishte çuar në gjykim. Përveç Ballukut janë edhe 15 persona bashkëpunëtorë. Veprat më të rënda rëndojnë mbi Ballukun.
SPAK, ndryshe nga më parë, dha një shifër zyrtare për dëmin ndaj buxhetit, duke u ndalur vetëm te tuneli. Prençi tha se dëmi preventiv rezulton 5.4 mld lekë. Sipas prokurorëve, shifra është llogaritur nga një grup ekspertësh të prokurorisë. Nuk jepet në mënyrë të saktë se sa mund të jetë dëmi nga paracaktimi i këtij tenderi. Prokurorët deklaruan gjithashtu një shifër për atë që Balluku ka përvetësuar nga buxheti, që ka dalë nga pasuritë e fshehura në emër të Tares, dy vila, në shumën 1.8 mln euro.
Akti i ekspertimit nuk na është vënë ende në dispozicion. Bëhet fjalë për një nga dosjet më voluminoze.
Burimi: www.albeu.com










