Një grua ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë intervistimit në ambientet e Policisë së Kosovës.
Ndalimi në pikën kufitare
Gruaja ishte ndaluar një ditë më parë në pikën kufitare të Vërmicës, së bashku me një person tjetër. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, u gjetën dhe u sekuestruan mbi 105 gramë kokainë, dy fishekë dhe dy telefona celularë.
Vdekja gjatë intervistimit
Gruaja po merrej në pyetje në praninë e avokatit mbrojtës, kur shfaqi probleme shëndetësore. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ajo ndërroi jetë rreth orës 01:30. Trupi u dërgua për ekspertizë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave kanë nisur, duke përfshirë edhe Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
“E dyshuara femër kosovare përderisa ka qenë duke filluar intervistimi me prezencë të avokatit mbrojtës, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ku edhe është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas ofrimit të ndihmës së parë mjekësore në vend, nga emergjenca ajo është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ku nga mjekët kompetentë, rreth orës 01:30, Policia është informuar se personi në fjalë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjetjet dhe masat ndaj të dyshuarve
“Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm, dhe dy telefona celularë. Personat e dyshuar janë të njohur për Policinë, ku me urdhër të prokurorit kompetent është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar, me ç‘rast është gjetur dhe është konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS dhe kamerave”, njofton policia.
Pas intervistimit, i dyshuari mashkull është ndaluar për 48 orë. Ndërkohë, pas përkeqësimit të gjendjes së të dyshuarës, ajo vdiq në spital dhe trupi u dërgua për ekspertizë në mjekësinë ligjore.
Hetimet
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse hetimore të Stacionit Policor në Prizren, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, IPK-ja si dhe prokurori kujdestar.
“Të gjitha njësitë kompetente policore, përfshirë Hetuesinë dhe Forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.
Burimi: kohajone.com










