Një grindje për enët e lëna pa larë në kuzhinë u përshkallëzua në dhunë në Romë të Italisë. Një grua 50 vjeçe u arrestua nën akuzën e tentativës së vrasjes, pasi dyshohet se goditi rëndë partnerin me një ngrohëse elektrike dhe më pas tentoi ta mbyste me kabllon e saj.
Ngjarja ndodhi disa ditë më parë, rreth orës 21:30, në banesën e çiftit në lagjen Tufello të Romës. Të njoftuar nga fqinjët, karabinierët hynë në banesë dhe e gjetën gruan sipër partnerit. Ai ishte i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja.
Efektivët e neutralizuan menjëherë 50-vjeçaren, e cila vazhdonte ta ofendonte partnerin edhe teksa ata ndërhynin. Shërbimet e urgjencës i dhanë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas e transportuan në poliklinikën “Umberto I”.
Versioni i burrit
Burri u tha hetuesve se konflikti kishte nisur për enët e palara në lavaman. Sipas rrëfimit të tij, gruaja filloi ta shtynte, gjë që e shqetësoi. Ai i tha se do t’i lante vetë enët, por ajo nuk u ndal dhe, në fund, ai humbi ndjenjat.
Nga sulmi, burri pësoi frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, dëmtime në kokë dhe hematoma në të gjithë trupin. Ai u lëndua edhe në duar ndërsa përpiqej të mbrohej.
Procedura e mëtejshme
Pas arrestimit, gruaja u dërgua fillimisht në një strukturë shëndetësore për vlerësimin e gjendjes psikofizike. Më pas ajo u transferua në burgun e Rebibbias. Hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që në çastin e ngjarjes 50-vjeçarja të ketë qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Burimi: www.albeu.com









