Ministrat e Jashtëm të Rumanisë, Estonisë dhe Suedisë kanë bërë thirrje për një përgjigje të fortë dhe të unifikuar evropiane ndaj pushtimit rus të Ukrainës, që po i afrohet 5-vjetorit.
Gjithashtu, ato kanë ngritur zërin kundër aktiviteteve armiqësore të Moskës, që po përhapen në mbarë territorin evropian.
Rumania dhe kërcënimet në detin e Zi
Ministri rumun, Dan Neculaescu, deklaroi se do të kërkojë një koordinim më të ngushtë mes NATO-s dhe BE-së, për shkak të përshkallëzimit “të papranueshëm” të akteve dashakeqe në bregun rumun të Detit të Zi.
“Kemi pasur 4 alarme në 24 orë dhe tre anije të goditura vetëm gjatë fundjavës. Kjo është e papranueshme”, deklaroi Neculaescu.
Duke theksuar se situata është bërë shumë e rrezikshme në Detin e Zi, shefi i diplomacisë rumune shtoi se do t’u kërkojë homologëve të vazhdojnë të kontribuojnë me kapacitete të shtuara në vendin e tij.
Dronët goditën tre mjete lundruese të dielën në kanalin Sulina të Rumanisë, një aks i rëndësishëm detar që lidh Danubin me Detin e Zi dhe që përdoret nga Ukraina për të eksportuar mallra.
Estonia dhe Suedia: sabotimet dhe luftën hibride
Në të njëjtën linjë, ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha se përpjekjet e Rusisë për të kryer akte sabotimi në dëm të infrastrukturës ushtarake vendase tregojnë se aktivitetet dashakeqe të Moskës shkojnë përtej Ukrainës.
“Veprime të tilla duhet të përballen me pasoja, të cilat duhet të përkthehen në një përgjigje evropiane ndaj luftës hibride”, tha Tsahkna.
Edhe ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard, tha për Euronews se intensifikimi i luftës hibride reflekton frustrimin e Kremlinit nga fakti se nuk po e fiton dot luftën në Ukrainë.
“Ata po përpiqen prej thuajse 5 vitesh për të pushtuar Ukrainën, por kanë dështuar. Tani i takon Evropës të jetë e bashkuar dhe qytetarët e saj të jenë rezistentë”, deklaroi Stenergard.
Burimi: euronews.al










