Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

26-vjeçarja vdes në urgjencë pasi u intervistua nga policia në Prizren

26-vjeçarja vdes në urgjencë pasi u intervistua nga policia në Prizren
Foto: abcnews.al

Policia e Kosovës e ka arrestuar për trafik kokaine, por 26-vjeçarja Blerta Hyseni ka vdekur gjatë intervistimit brenda stacionit policor në Prizren.

Hyseni u ndalua bashkë me shtetasin Adnan Podvorica, i lindur në vitin 1978, gjatë një operacioni të njësive të antidrogës në pikën kufitare të Vërmicës më 15 nëntor. Hetuesit e antidrogës në Prishtinë kishin marrë informacione operative se çifti kishte udhëtuar drejt Kukësit, në Shqipëri, me dyshimin se do të furnizohej me kokainë.

Ndalimi dhe kontrolli i veturës

Rreth orës 18:00, policia e ndaloi mjetin me të cilin udhëtonin, një BMW X6 të kuqe, menjëherë pasi ai kishte hyrë në territorin e Kosovës. Podvorica ishte ulur në timon, ndërsa Hyseni ishte në ulësen e pasagjerit.

Kontrolli i detajuar i veturës zbuloi 105.7 gramë substancë të dyshuar kokainë. Gjithashtu u sekuestruan dy fishekë kalibri 9 mm, dy telefona iPhone dhe vetura.

Vdekja gjatë intervistimit

Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prizren, u dha urdhër që të dy personat të intervistoheshin si të dyshuar për veprën penale të blerjes, posedimit, shitjes ose shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, dhe më pas të ndaloheshin për 48 orë.

Gjatë përgatitjeve për intervistimin e Blerta Hysenit, në praninë e avokatit të saj mbrojtës, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua papritur, me simptoma të dyshuara të ngjashme me kriza epileptike. Policia kërkoi menjëherë ndihmën e emergjencës, ekipet mjekësore arritën në stacion dhe i dhanë ndihmën e parë, pastaj Hyseni u transportua në Emergjencë për trajtim të mëtejshëm.

Rreth orës 01:30 pas mesnatës, Blerta Hyseni ndërroi jetë.

Hetimet

Vdekja e saj ka hapur një hetim të veçantë nga hetuesit rajonalë në Prizren, ndërsa shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga organet kompetente. Ndërkohë, hetimet për substancën e dyshuar narkotike të sekuestruar në Vërmicë vazhdojnë nga njësia e antidrogës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha