TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Këshilltarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilda Zhulali, i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës të ndalojë ekspozimin e simboleve komuniste dhe nderimin publik të ish-diktatorit Enver Hoxha dhe figurave përgjegjëse për krimet e regjimit komunist.
Kërkesa drejtuar Bashkisë
Në një kërkesë drejtuar Bashkisë së Tiranës, Zhulali ngre shqetësimin për ekspozimin, më 17 nëntor, në qendër të kryeqytetit, të simboleve të regjimit komunist, banerave me mbishkrime lavdëruese për Enver Hoxhën dhe portreteve të drejtuesve të regjimit.
Sipas saj, këto figura mbajnë përgjegjësi për ekzekutime, burgosje, internime dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë.
Zhulali thekson se lartësimi publik i tyre fyen kujtimin e viktimave të diktaturës dhe dinjitetin e familjeve të tyre.
Bilanci i viktimave
Në kërkesë përmendet edhe bilanci i viktimave të regjimit komunist.
“Regjimi komunist la pas mijëra viktima, nga të cilët 6.027 të ekzekutuar, 34.135 të burgosur politikë, mbi 59 mijë të internuar, 7.022 të vdekur në internim, 984 të vdekur në burgje dhe rreth 6 mijë të zhdukur, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur”, thekson Zhulali.
Baza ligjore
Këshilltarja demokrate shprehet se, nderimi publik i figurave të regjimit bie ndesh me Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë të tetorit 2006 për dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe me Rezolutën 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Masat e kërkuara
Në kërkesën e saj, Zhulali kërkon që çështja të përfshihet në rendin e ditës së këshillit bashkiak dhe të miratohet një vendim që ndalon ekspozimin e simboleve, fotografive dhe materialeve që lartësojnë diktaturën në hapësirat publike nën administrimin e Bashkisë Tiranë.
Ajo kërkon gjithashtu përcaktimin e gjobave për shkelësit, ngarkimin e Policisë Bashkiake me heqjen e menjëhershme të materialeve dhe ndalimin e dhënies së lejeve për veprimtari me këtë përmbajtje në hapësirat publike të administruara nga bashkia.
/gj.m/r.e/
Burimi: ata.gov.al










