TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë inspektimit në Spitalin Rajonal Kukës, zhvilloi një takim me stafin mjekësor dhe infermieror, ku u fol për cilësinë e shërbimeve, përgjegjshmërinë profesionale dhe forcimin e kapaciteteve të kësaj strukture spitalore.
Gjatë bashkëbisedimit, ministrja Spahiu kërkoi angazhim maksimal dhe përkushtim në përmbushjen e detyrave, duke vënë theks të veçantë te mjekët e rinj specializantë dhe përgjegjësia e tyre për të garantuar standarde të larta në kujdesin ndaj pacientëve.
Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se performanca profesionale e mjekëve do t’i nënshtrohet monitorimit periodik, ndërsa në rastet kur evidentohen mangësi në kompetencat profesionale, do të kërkohet rikualifikimi pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë dhe sigurisë së shërbimit.
Zgjerimi i shërbimeve të specializuara
Një tjetër çështje e trajtuar ishte perspektiva e zgjerimit të shërbimeve të specializuara në Spitalin Rajonal Kukës.
Ministrja Spahiu theksoi se po punohet për rivlerësimin e kapaciteteve të kësaj strukture, me qëllim krijimin e kushteve për ofrimin e shërbimit të dializës, shërbimit të kimioterapisë ditore dhe kujdesit paliativ.
Kjo nismë synon të lehtësojë aksesin e pacientëve në trajtim dhe ndjekje të specializuar pranë vendbanimit, duke reduktuar nevojën për zhvendosje drejt spitaleve universitare dhe duke garantuar vijimësi të kujdesit për pacientët me sëmundje kronike e të rënda.



1 nga 4
/k.s/
Burimi: ata.gov.al










